Grimcat mikroskopike të plastikës që qarkullojnë në ajër po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një rrezik serioz për shëndetin e njeriut, duke u lidhur me zhvillimin e kancerit të mushkërive dhe të zorrës së trashë.
Gomat e automjeteve dhe mbetjet plastike që shpërbëhen me kalimin e kohës çlirojnë mikrogrimca plastike, të cilat krijojnë një formë ndotjeje ajri që ende nuk është kuptuar plotësisht, shkruan Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Këto mikroplastika përfaqësojnë një lloj ndotjeje ajri nga grimcat, dhe tashmë dihet se kjo ndotje është e dëmshme për shëndetin,” thekson profesorja Tracey Woodruff nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.
Sipas studimeve, çdo vit në botë prodhohen rreth 460 milionë tonë plastikë, shifër që pritet të arrijë në 1.1 miliard tonë deri në vitin 2050. Një burim i madh i këtyre ndotësve janë automjetet, pasi gomat e tyre, gjatë fërkimit me rrugën, lëshojnë mikrogrimca që përhapen në atmosferë.
Në një përmbledhje të publikuar më 18 dhjetor në revistën “Environmental Science & Technology”, studiuesit analizuan të dhëna nga rreth 3,000 studime të mëparshme.
Rezultatet sugjerojnë se mikroplastika në ajër mund të ndikojë në shfaqjen e kancerit, sëmundjeve të mushkërive dhe problemeve riprodhuese. Edhe pse pjesa më e madhe e studimeve janë kryer me kafshë, shkencëtarët theksojnë se efektet janë të ngjashme edhe te njerëzit.
“U bëjmë thirrje institucioneve rregullatore dhe politikbërësve të reagojnë ndaj provave në rritje për dëmet që shkakton mikroplastika, veçanërisht në organet jetësore,” deklaroi studiuesi Nicholas Chartres nga Universiteti i Sidneit, duke kërkuar veprime urgjente për të kufizuar ekspozimin njerëzor ndaj këtij ndotësi. /Gazeta Shneta/


