Një studim i ri tregon se akumulimi i mikroplastikës në organet vitale të njeriut, përfshirë trurin, mëlçinë dhe veshkat, po rritet ndjeshëm.
Mikro dhe nano-plastika (MNP) janë grimca shumë të vogla që variojnë nga 500 mikrometra deri në 1 nanometër, të cilat formohen nga shpërbërja e plastikës. Ato janë gjetur në të gjithë botën, nga bora në Antarktik deri në fund të Oqeanit Atlantik, shkruan burimi Health News transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, ende në proces rishikimi nga kolegët analizoi 12 lloje polimerësh në mostrat njerëzore të mbledhura në vitet 2016 dhe 2024.
Rezultatet treguan një rritje të ndjeshme të përqendrimeve të mikroplastikës në organet vitale gjatë kësaj periudhe. Në veçanti, përqendrimet në tru u rritën rreth 50%, dhe ishin 7 deri 30 herë më të larta se ato të mëlçisë dhe veshkave.
Polietileni, i përdorur në shishe, mbështjellës ushqimesh, qese plastike dhe sende të tjera shtëpiake, rezultoi të ishte mikroplastika më e zakonshme në mostrat e analizuar.
Hulumtuesit theksojnë se rritja e pranisë së mikroplastikës në tru, e shoqëruar me përhapjen mjedisore të saj dhe rritjen e rasteve të demencës, nënvizon urgjencën për të kuptuar ndikimet e mundshme të këtyre grimcave në shëndetin e njeriut.
Studime të mëparshme kanë treguar se ekspozimi ndaj mikroplastikës mund të lidhet me inflamacion dhe rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare, duke shtuar shqetësimet mbi pasojat afatgjata shëndetësore.
Kërkimet e ardhshme do të jenë thelbësore për të vlerësuar nëse ekspozimi kronik ndaj MNP mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionin e trurit dhe shfaqjen e sëmundjeve neurologjike. /Gazeta Shneta/


