Për më pak se 10 vjet kompania “Laguna” i ka përfituar mbi 12 milionë e 767 mijë euro për pastrimin e hapësirave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Vetëm tenderi i fundit i cili është publikuar dje, i ka kushtuar SHSKUK-së 4.8 milionë euro.
Që nga viti 2013, kompania “Laguna SHPK” me pronar Lorik Azemin, ka fituar katër tenderë vetëm nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Tenderët kapin shumën totale prej mbi 12 milionë e 767 mijë euro, shkruan Gazeta Shneta.
Në vitin 2013 kjo kompani kishte nënshkruar kontratë tre vjeçare për pastrimin e hapësirave të QKUK-së, në vlerë 3 milionë e 286 mijë euro. E njëjta kompani kishte fituar sërish pas tre vjetësh me kontratë 3 milionë e 956 mijë euro.
Milionat e tenderëve për pastrim veç kanë pësuar rritje nga kontratat paraprake. Kjo kompani në vitin 2020 ka nënshkruar dy kontrata me SHSKUK-në. Në muajin shkurt nënshkroi një kontratë emergjente për 3 muaj shërbim në vlerë mbi 725 mijë euro.
Ndërkaq dje është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës kornizë për tre vjetët e ardhshme për këtë kompani, e cila do t’i kushtojë SHSKUK-së hiq më pak se 4.8 milionë euro.
Kompania “Laguna” sipas regjistrimit në ARBK figuron në emër të pronarit dhe drejtorit gjeneral Lorik Azemi dhe ka të punësuar 290 punëtorë me kapital 2 mijë e 500 euro. /Gazeta Shneta/