Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka folur rreth arratisjes së të burgosurit që ishte dënuar me 30 vjet burgim nga QKUK-ja e që më herët Klan Kosova raportoi ekskluzivisht.
Ai ka thënë se lidhur me arratisjen e të burgosurit nga QKUK-ja ku i njëjti ishte për trajtim ka kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit.
Tahiri poashtu ka siguruar se secili do të japë përgjegjësi karshi detyrave të tij lidhur me këtë rast.
Madje ai ka garantuar edhe se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë në nivelin e detrës sipas standardeve ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.
“Ju siguroj se këto probleme kanë adresë dhe secili do të japë përgjegjësi për detyrat që ka. Shërbimi Korrektues i Kosovës, viteve të fundit, është përballur me parregullsi dhe probleme që kanë shkaktuar degradimin e tij, duke prodhuar kështu efektet e veta. Por, ju garantoj se do të arrij që Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë në nivelin e detyrës dhe të ketë menaxhim të mirëfilltë, që ia mundëson funksionimin sipas ligjit dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.
I burgosuri që është arratisur, Avni Osmani ishte dënuar me 30 vjet burgim për vrasje të rëndë në vitin 2004.