Ministri Ismaili ka bërë një postim për Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK. Ai ka promovuar këtë klinikë me rritjen e numrit të shërbimeve, por në fakt i ka huq llogaritjes së përqindjes duke e fryrë atë për shumë më tepër sesa do të duhej të ishte
Ministri në shkuarje i shëndetësisë Uran Ismaili ka bërë një gafë qesharake në një postim të tij në facebook. Ai ka tentuar të promovojë punën e Klinikës së Kardiologjisë Invazive, që sipas tij ka rritur ndjeshëm sasinë e shërbimeve gjatë mandatit të tij, shkruan Gazeta Shneta.
Por në përpjekje për të reklamuar, në fakt Ismaili ka gabuar në llogaritjen e përqindjes së këtyre shërbimeve. Dallimi nga përqindja reale me përqindjen që Ismaili e ka paraqitur në skemë, është mjaft i madh. E kjo nuk do të duhej t’i ndodhte ministrit i cili ka studiuar në njërin nga universitetet më të njohura në botë, atë të Harvardit.
Ismaili ka shkruar se në periudhën janar-qershor 2017 janë kryer 75 operime, ndërsa në të njëjtën periudhë në vitin 2019 janë kryer 144 operime. Kjo sipas tij ka pësuar rritje prej 192 për qind. Në fakt kjo përqindje është fryrë ndjeshëm, pasi do të duhej të ishte rreth 90 për qind.
Njëjtë ka vepruar edhe në dy llogaritje të tjera. Ismaili ka paraqitur në skemë 450 stenta në vitin 2017, dhe 732 në vitin 2019. Kjo është llogaritur me rritje prej 163 për qind, e në fakt do të duhej të ishte rreth 100 më pak. Sikurse në rastin e koronarografive ku përqindja është fryrë për rreth 100 për qind.
Ky gabim ndoshta mund të jetë teknik gjatë krijimit të skemës, por edhe në këtë rast statistikat e Kardiologjisë Invazive nuk janë paraqitur të plota. Aty mungon numri i vdekjeve në këtë klinikë, për të cilën ministri dhe menaxhmenti i QKUK-së nuk kanë deklaruar shifra të sakta asnjëherë.
“Ditëve të fundit janë ngritur dyshime të pabazuara rreth shërbimit 24 orësh për stentim në QKUK. Shërbimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive janë funksionale, të sigurta dhe çdo ditë shpëtojnë jetë. Madje, ka rritje rekorde të numrit të shërbimeve për trajtimin e pacientëve. Më saktësisht, krahasuar me vitin 2017 për periudhën janar – qershor, kemi 192% më shumë operime; 163% më shumë stentime dhe 237% më shumë koronarografi. Këto janë politikat tona shëndetësore që kanë vendosur një standard të ri qeverisës në shërbim të plotë të pacientëve dhe qytetarëve”, ka shkruar Ismaili. /Gazeta Shneta/