“Nga 610 koronografi në 2017 kemi arritur në 1451 koronarografi në 2019; nga 450 stentime në 2017 në 732 stentime në 2019; nga 75 operime në 2017 në 144 operime në 2019”, tha Ministri Ismaili
Ministri i Shëndetësisë Uran Iamaili tha sot se shërbimet në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji invazive kanë shënuar rritje rekorde, ndërsa ajo që para dy vjetësh është dukur e pamundur sot është bërë realitet me një vullnet dhe përkushtim të madh.
Qindra mijëra shërbime shtesë dhe dhjetëra miliona euro të shpëtuara janë rezultate konkrete që prekin thellë në jetën e qytetarit, theksoi Ministri Ismaili.
Në një konferencë për media ai prezantoi të dhënat për 4 fishimin e shërbimeve në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji invazive dhe tha se sistemi për stentim është funksional 24 orë, i sigurt dhe po shpëton jetë të qytetarëve të Kosovës transmeton Gazeta Shneta.
“Për vite me radhë, në këtë shërbim, kanë dalë shumë skandale që kanë dëmtuar shëndetin dhe buxhetin e qytetarëve. Ne e adresuam këtë problem duke hapur Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji invazive në QKUK nga 6 orë në ditë/5 ditë në javë në 24 orë në ditë/7 ditë në javë.
Krahasuar me vitet paraprake, në vitin 2019 kemi bërë: 192% më shumë operime kardiokirurgjike; 163% më shumë stentime dhe 237% më shumë koronarografi”, theksoi Ministri Ismaili, duke e konsideruar si arritje më e madhe heqjen e listës së famshme të pritjes për stentim që ka lënë pacientët pa shërbime deri në dy vite.
“Falë politikave tona, qytetarët marrin shërbime cilësore pa pritur 2 vite dhe me një çmim shumë të lirë. Ky është një numër rekord dhe rritje e paprecedent e vëllimit të shërbimeve: Nga 610 koronografi në 2017 kemi arritur në 1451 koronarografi në 2019; nga 450 stentime në 2017 në 732 stentime në 2019; nga 75 operime në 2017 në 144 operime në 2019”. theksoi ai.
Ministri Ismaili tha se këto statistika tregojnë që kemi krijuar modele të reja brenda sistemit shëndetësor.
“Ky është ndryshimi të cilin e kemi bërë. Ndryshim real që e ka prekur direkt qytetarin. Së pari i ka shpëtuar jetë por edhe i ka kursyer para. Kjo është qeverisja jone në shëndetësi. Kemi luftuar korrupsionin dhe kemi ofruar më shumë shërbime në sektorët më strategjikë në shëndetësi”, përfundoi ai./Gazeta Shneta/




