Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka udhëtuar sërish jashtë vendit. Kësaj radhe ai shkoi në Greqi.
Ministrin Latifi do ta pretë Ministri i Shëndetësisë në Greqi, Athanasios Plevris.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë, dy ministrat e shëndetësisë do të flasin për bashkëpunimin në shëndetësi ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, mbështetjen dhe këmbimin e përvojave.
“Gjatë vizitës në Greqi ministri Latifi do të vizitojë edhe disa qendra shëndetësore si dhe do të trajtohet mundësia e trajnimit të stafit shëndetësor nga Kosova në këtë vend si dhe programet e këmbimit të ekspertëve dhe përvojave”, thuhet në komunikatë.
Ministri Latifi shpesh herë është kritikuar për udhëtimet e tij të shpeshta jashtë vendit.
Ditë më parë PSD ndërmjet një aksioni simbolik para Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ia ka shtruar tepihun e kuq ministrit Latifi në shenjë kritike për udhëtimet e tij të shpeshta. /Gazeta Shneta/
Udhëtimet e ministrit që shëndetësia nuk ua pa hajrin asgjë, Latifit i bëhet thirrje ta lërë pozitën




