Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj mbrëmë ka qenë mysafir në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini ku ka folur për situatën me koronavirus Covid-19 në Kosovë.
Zemaj është shfaqur kritik për paraardhësin e tij Arben Vitia, për të cilin ka thënë se nuk i kishte lënë asnjë dokument të nënshkruar për gjendjen e krijuar. Sipas Zemajt, këto dokumente nuk ia kishte ofruar as zv.ministri nga radhët e LDK-së Dr. Izet Sadiku.
“Më ka thënë se nuk ka asnjë vendim të shkruar për përgjegjësitë dhe kompetencat e tij. Nuk e di arsyen për këtë”, ka deklaruar Zemaj, transmeton Gazeta Shneta.
Zemaj ka deklaruar se do të insistojë që të mos rikthehet gjendja e masave të kufizimit dhe as të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Ai ka thënë se është duke insisituar testime masive tek qytetarët dhe aty ku ka nevojë, e sipas tij, jo të bëhen teste selektive siç ka ndodhur më parë.
Për shumë çështje Zemaj nuk ka pasur përgjigje, e një prej tyre ka qenë edhe furnizimi me teste për Covid-19 dhe dorëzimit të testeve nga kompania “Interlab” e cila kishte fituar kontratën për furnizim në muajin maj, transmeton gazetashneta. Madje Zemaj ka thënë se nuk është fare i interesuar nëse ka apo jo furnizim me teste.
“Unë jam ministër dhe vetëm i përcjellë nevojat e Institutit. Unë nuk merrem as me shitje as me blerje. Nuk kam ndonjë raport të vonimit apo dorëzimit të testeve nga kompani që kanë fituar kontrata. Ende nuk jam marr me këto parregullsitë qoftë në furnizim qoftë në tenderim. Nuk jam i interesuar të merrem shumë. Unë jam i interesuar që mundësia ime të fokusohem në avancimin e sistemit shëndetësor dhe menaxhimin e pandemisë. Për kontrata dërgoni pytje dhe i merrni zyrtare nga MSH”, ka deklaruar Zemaj.
Ministri nuk ka qenë në dijeni as për kontratën e furnizimit me respiratorë, kur është pyetur për realizimin e kontratës 750 mijë euro për blerjen e 30 respiratorëve në kohën e ish-ministrit Vitia.
Për çështjen e respiratorëve Zemaj ka thënë se presin një donacion nga SHBA, për të cilin thotë se ishte bllokuar më parë pasi donatorët dëshironin ta bënin dorëzimin direkt tek ministri, duke aluduar kështu se bllokimi kishte ndodhur nga ish-ministri Vitia. /Gazeta Shneta/