Në Klinikën Infektive në QKUK ka ndërruar jetë një paciente 74-vjeçare e cila ishte e infektuar me koronavirus Covid-19.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media, ku është bërë e ditur se pacientja ishte nga komuna e Rahovecit.
“Klinika Infektive e QKUK-së ka bërë të ditur se sot më 16. 06. 2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka vdekur pacientja N. D. (1946) nga Komuna e Rahovecit. Ajo ishte pranuar në Klinikën Infektive më 5 qershor dhe përveç infeksionit me Covid -19 kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, është thënë në njoftim.
MSH poashtu ka njoftuar se në Klinikën Infektive sot janë të hospitalizuar 58 pacientë. Prej tyre, të sëmurë me Covid 19 janë gjithsej 53 pacientë, prej të cilëve 33 raste janë në gjendje stabile dhe 20 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve një rast në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të Klinikës Infektive.
Në pritje të rezultateve janë 3 pacientë, ndërsa 1 pacient i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për Covid- 19 vazhdon trajtimin në klinikë. Sot lirohet nga klinika një paciente e shëruar nga infeksioni me Covid- 19. /Gazeta Shneta/