Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Arben Vitia përmes një njoftimit zyrtar ka bërë të ditur se ka pritur në takim specialistët e ardhshëm që u përzgjodhën për shkollim specialistik të këtij viti.
Ministri Vitia ka mirëpritur 359 specialistë të ardhshëm të mjekësisë për të nënshkruar kontratat e reja dhe për t’ju bërë dorëzimin e ditarit specialistik, përcjell Gazeta Shneta.
“Kandidatët u zgjodhën në bazë të përgaditjes individuale dhe kualifikimeve të fituara. Në një proces plotësisht transparent. Me besimin se pas shumë përgatitjeve u përzgjodhën më të mirët, jam shpresëplotë se do ta kemi një gjeneratë të re me mjekë të dinjitetshëm dhe profesionistë”, ka thënë Vitia.
Mes tjerash ministri Vitia ka theksuar se për herë të parë në historinë e shkollimit specialistik janë aplikuar tri parime bazë:
Kuadri defecitar – shënjestrimi për plotësimin e tij.
Kapacitetet mentoriale – përllogaritja dhe organizimi bazuar në to.
Kapacitetet infrastrukturore – përshtatja për shkollim optimal.
Në fund të komunikatës, ministri Vitia ka njoftuar se janë duke u zhvilluar përgatitjet rreth konkursit të ri për specializantë që do të mbahen gjatë vitit 2024. /Gazeta Shneta/




