Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës dhe Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës kanë vazhduar të thellojnë bashkëpunimet.
Dr. Izet Sadiku nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës përmes një njoftimi, ka bërë të ditur takimin me Prof. Dr. Rifat Latifi, kryetarin e Kolegjiumit të Kirurgëve të Kosovës, përcjell Gazeta Shneta.
Përmes këtij njoftimi, Dr. Sadiku ka theksuar thellimin e bashkëpunimeve midis Drejtorisë së Shëndetësisë në kryeqytet dhe Kolegjiumit të Kirurgëve të Kosovës.
“Duke u nisur nga bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me rastin e mbajtjes për herë të parë në Kosovë të kursit ATLS, u pajtuan që mes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe Drejtorisë së Shëndetësisë së Prishtinës të bëhet një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim që hapësirat e Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë të vëhen në dispozicion të Qendrës Edukative të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, deri në kohën kur Kolegji ta krijojë objektin e vet të Qendrës së Avancuar Edukative”, ka thënë Sadiku.
E në anën tjetër, Dr. Latifi u shpreh përzemërsisht mirënjohës për këtë bashkëpunim, duke nënvizuar se nga trajnimet dhe kurset e ndryshme që do të mbahen në QMU, do të përfitojnë gjithashtu edhe stafi mjekësor i kujdesit primar të kryeqytetit. /Gazeta Shneta/