Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media sqaron se kjo ministri nuk e ka kontraktuar gazin medicinal ‘N2O’, i cili përdoret në sallat operative të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, siç është raportuar në disa media.
Sipas MSH-së, QKUK është institucioni që ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik për furnizim me gazin, për të cilat dyshohet se mund të ketë qenë shkaktari i vdekjeve të cilat po hetohen në këtë qendër, shkruan Indeks Online, transmeton Gazeta Shneta.
Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sigurojë edhe një herë opinionin se që prej ditës së parë të marrjes së mandatit të tij, ministri Uran Ismaili u ka dhënë mbështetje të plotë organeve kompetente për zbardhjen e të vërtetës lidhur me vdekjet e fundit të dyshimta në QKUK.
Ministri Ismaili ka urdhëruar inspektoratet që të kryejnë hetime të pavarura dhe të detajuara lidhur me vdekjet e dyshimta në QKUK, ndërsa shpreh edhe një herë përkushtimin për të mbështetur hetimet e plota lidhur me rastet. /Gazeta Shneta/