Ministri në detyrë i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i ndau sot mirënjohje Shaban Svircës, për kontributin e tij të dhënë për shëndetësinë kosovare, gjatë kohës së okupimit.
Svirca u nderua me mirënjohje për lëshimin e shtëpive të tij gjatë kohës së okupimit të cilat u përdorën për Maternitetin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” që nga viti 1996 e deri në vitin 1999, kur ishte mbyllur dhunshëm nga okupatori serb, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Rrahmani tha se mirënjohja po i ndahet në shenjë respekti e falënderimi për të dhe familjen e tij për kontributin që ata kanë dhënë për shëndetësinë kosovarë në vitet e rënda të okupimit.
“Të linden e trajtohen mbi 13 000 fëmijë në ato kushte ishte diçka që pak kush ka mundur ta bëjë”, ka deklaruar Rrahmani, citohet në njoftim.
Nga ana e tij, Svirca, tha se ndarja e kësaj mirënjohjeje, për të dhe familjen e tij është më e dashura pas mirënjohjes së ndarë më parë nga Presidenti Rugova, “me që kjo mirënjohje po më ndahet nga institucionet e shtetit tonë nga Ministria dhe vet Ministri i Shëndetësisë”.
Ai tha se ndihet krenar që ka pasur mundësinë që në vitet e vështira të okupimit të ofrojë shtëpitë e tij për shëndetësinë dhe arsimin në Kosovë, me që nëpër ato shtëpi përveç veprimtarisë shëndetësore ishte zhvilluar edhe procesi mësimor, pasi pushteti i atëhershëm serb kishte larguar nga institucionet personelin mjekësor dhe mësimdhënësit.
Familja Svirca në periudhën 1996-1999 kishte ofruar shtëpitë e tyre falas për maternitetin, ndërsa gjatë atyre viteve hapësirat ishin zgjeruar dhe përshtatur për të krijuar hapësira të nevojshme prej dhomave të thjeshta deri te sallat e operacionit dhe kujdesit intensiv.
Më 26 gusht të këtij viti ndërkaq, Materniteti i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, do të shënojë 21 vjetorin e themelimit.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, me mirënjohje për kontributin në shëndetësi, Ministri Rrahmani, ka nderuar edhe profesorët Hysen Sherifi dhe Emrush Kryeziu. /Gazeta Shneta/