Klinika e Mjekësisë Sportive në asnjërën nga valët e përhapjes së coronavirusit, nuk ka pasur më shumë pacientë. Vetëm për tri ditë në këtë klinikë të destinuar për trajtim të rasteve me COVID-19, janë mbushur të gjitha kapacitetet. Derisa, aktualisht janë duke u trajtuar rreth 90 pacientë, të paktë janë ata që janë të vaksinuar.
Udhëheqësi i Klinikës Infektive II e njohur ndryshe si Mjekësia Sportive, Artan Ahmeti ka folur për gjendjen në këtë klinikë dhe kapacitetet që kanë në dispozicion për trajtimin e këtyre rasteve.
“Realisht ndoshta edhe nën zero sepse një rritje kaq e shpejt nuk e kemi pasur asnjëherë në asnjë valë, ndërkaq numër kaq të madh të hospitalizuarve nuk e kemi pasur në asnjë valë deri tash. Është një numër shumë i madh dhe kërkesat për hospitalizim janë shumë të mëdha. Në Klinikën e Mjekësisë Sportive për tri ditë janë mbushur të gjitha kapacitete”, deklaroi Ahmeti për KP.
Vetëm në 24 orët e fundit në këtë klinikë janë pranuar 16 raste të reja, por Ahmeti thotë se gjendja e përgjithshme e tyre është stabile.
“Në Klinikën Infektive 2, në objektin e Mjekësisë Sportive aktualisht janë 95 mundësi për hospitalizim dhe kapacitet pothuajse janë të mbushura çdo ditë, por çdo ditë kemi edhe pranime dhe lirime. Kështu që vetëm gjatë 24 orëve të fundit i kemi pasur mbi 16 pranime dhe 13 lirime. Gjendja e përgjithshme e pacientëve është stabile, por kemi edhe të rëndë. Shumica e pacientëve janë me oksigjeno-terapi”, thotë Ahmeti.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Kosovapress.