Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka deklaruar para dy ditësh se Klinika e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë do të fillojnë punën 24 orëshe nga dita e hënë. Por kjo nuk po del të jetë e sigurt se do të ndodhë
Personeli mjekësor i Klinikës së Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë i ka shqetësuar vendimi i SHSKUK-së për të punuar 24 orë.
Disa prej tyre nuk po pranojnë të punojnë sipas këtij vendimi, i cili është përkrahur dhe promovuar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, shkruan Gazeta Shneta.
Një burim i Gazetës thotë se disa prej mjekëve kanë kërkuar bonuse shtesë për orarin e punës 24 orësh, si dhe janë ankuar për mungesë të stafit të mesëm.
“Poashtu është duke u përgatitur edhe një peticion kundër këtij vendimi. Nuk është e sigurt se puna do të nis të hënën”, ka thënë ky burim.
Pjesërisht e ka pohuar edhe U.D. i Drejtorit të Kardiologjisë Invazive, Dr. Tefik Bekteshi. Ai thotë se personeli mjekësor ka shprehur pakënaqësi, por puna 24 orëshe megjithatë do të nis të hënën sipas vendimit.
“Ka pakënqësi, ndoshta nga pasiguria në vetvete për punën 24 orëshe, por ne jemi ekip dhe e plotësojmë njëri-tjetrin. Jemi dakorduar që të thërrasim në çdo kohë secilin mjek që ka nevojë”, ka deklaruar Bekteshi.
Ai ka thënë se ekziston stafi, pajisjet dhe materiali për të filluar punën 24 orëshë nga e hëna. Bekteshi ka shtuar se do të jetë i pari që do të kujdestarojë. /Gazeta Shneta/