Kushtet e punës në Klinikën e Ortopedisë në QKUK janë të mjerueshme, saqë mjekët thonë se nuk do të duheshin të kryheshin fare operacione me mjetet e stërvjetëruara të cilat i kanë në dispozicion
Mjekët në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare kanë alarmuar për gjendjen e rëndë dhe kushtet e vështira në të cilat punojnë. Ata realizojnë operacione me mjete të stërvjetëruara, kushte sanitare dhe higjienike të pamjaftueshme, saqë thonë se nuk do të duhej të kryheshin fare operacione.
“Po bëjmë shkelje që po hyjmë në sallë në këto kushte, por ne iu tregojmë pacientëve dhe ata pajtohen”, kanë deklaruar ata për RTK-në.
Ortopedi Xhemajl Selmani, i cili është edhe kryetar i Sindikatës së punëtorëve të QKUK-së, ka folur për gjendjen e rëndë në të cilën punojnë. Ai ka thënë se përdorin mjete të vjetëruara pasi nuk kanë zgjidhje tjetër.
“Problemi shqetësues është pajisjet e vjetëruara dhe të cilat nuk punohet më me to. Një pjesë të pajisjeve i kemi nxjerr jashtë përdorimit, ndërsa një pjesë i përdorim nga halli”, ka deklaruar Selmani.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, ka thënë se ortopedia është duke u trajtuar 100 për qind me infrastrukturë, pajisje dhe të gjitha që kanë nevojë. /Gazeta Shneta/