Mjekët francezë të shoqatës URPS kanë ngritur alarmin për efektet e kadmiumit, një metal i rëndë dhe toksik që gjendet në ushqimet bazë si buka, drithërat dhe patatet.
Kadmiumi, i cili shkakton kancer, ndodhet natyrshëm në tokë dhe përdoret në plehrat fosfatike, duke u futur në zinxhirin ushqimor përmes kulturave bujqësore. Për shumicën e njerëzve, ushqimi është burimi kryesor i ekspozimit ndaj këtij metali, ndërsa edhe duhani përmban kadmium, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Mjekët paralajmërojnë për një rritje shqetësuese të kontaminimit tek fëmijët e vegjël për shkak të dietave të tyre, me pasoja të mundshme serioze shëndetësore në të ardhmen.
Kadmiumi lidhet me kancer të pankreasit, mushkërive, prostatës dhe veshkave, si dhe me sëmundje kardiake, dëmtime të veshkave, çrregullime neurologjike, probleme të kockave dhe fertilitetit.
Sipas Agjencisë Franceze për Sigurinë Ushqimore dhe Mjedisin (ANSES), 0.6% e dietave të të rriturve përmbajnë nivele të larta kadmiumi, por kjo përqindje rritet në 14% për fëmijët 3-17 vjeç dhe në 36% për fëmijët nën 3 vjeç.
Nga viti 2000 deri në 2022, Italia ka raportuar më së shumti raste të kontaminimit me kadmium në BE, e ndjekur nga Spanja, Gjermania, Franca dhe Polonia.
BE-ja ka ndaluar plehrat fosfatike me mbi 60 mg/kg kadmium, por Franca, konsumatori më i madh në BE, nuk ka ulur këtë kufi, pavarësisht paralajmërimeve shkencore.
Mjekët i kërkojnë qeverisë franceze të ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi, të përmirësojë ushqimin në shkolla, të promovojë ushqimet organike dhe të monitorojë ekspozimin te pacientët në rrezik. Ata paralajmërojnë se kadmiumi grumbullohet në trup dhe efektet e tij mund të shfaqen vetëm pas shumë vitesh. /Gazeta Shneta/




