Migrena është një gjendje neurologjike që prek mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën, duke shkaktuar dhimbje koke të forta dhe kronike, shpesh të shoqëruara me të përziera dhe ndjeshmëri ndaj dritës.
Numri i krizave mujore ndryshon nga personi në person, ndërsa ata me migrenë kronike mund të përjetojnë mbi 15 ditë në muaj me dhimbje. Aktualisht, trajtimi përfshin barna dhe ndryshime në stilin e jetesës për të shmangur faktorët nxitës, si stresi, gjumi i dobët dhe ndriçimi i fortë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri, i prezantuar në Kongresin Evropian të Neurologjisë 2025 dhe i publikuar në revistën “Headache”, sugjeron se ilaçet GLP-1, të njohura për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit, mund të zvogëlojnë ndjeshëm numrin e ditëve me migrenë.
Konkretisht, pjesëmarrësit në studim që morën liraglutidin raportuan mesatarisht 9 ditë më pak migrenë në muaj.
Autorët besojnë se efektet pozitive lidhen me aftësinë e GLP-1 për të ulur presionin intrakranial – një mekanizëm që mund të jetë i përfshirë në zhvillimin e migrenës.
Përveç reduktimit të ditëve me dhimbje, pacientët raportuan edhe një ulje të ndjeshme në rezultatet e testit të vlerësimit të aftësisë funksionale nga migrena me 32 pikë më pak.
Dr. Simone Braca, autori kryesor i studimit, theksoi se nëse këto gjetje konfirmohen nga studime më të mëdha dhe të kontrolluara, ilaçet GLP-1 mund të hapin një epokë të re në parandalimin e migrenës. /Gazeta Shneta/


