Ministria e Shëndetësisë ia ka pezulluar licencën spitalit turk në Prishtinë “Sante Plus”
Vetëm tre muaj pasi i ishte lëshuar licenca spitalit turk në Prishtinë “Sante Plus”, të njëjtit i është pezulluar licenca pasi nuk i ka plotësuar kriteret, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka mësuar se këtij spitali i cili është nën pronësinë e Bilal Kara, ia kanë lëshuar punën disa mjekë për shkak të pakënaqësive. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse i është pezulluar licenca.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga MSH në një përgjigje për Gazetën Shneta.
“Spitali ‘Sante Plus’ ka qenë i licencuar me 29. 11. 2018. Licenca këtij spitali ju ka pezulluar më 07. 03. 2019. Pezullimi i licencës spitalit ‘Sante Plus’ i është bërë për shkak se në ndërkohë (pasi licencimit dhe fillimit të punës), spitalit ju kanë larguar disa kuadro mjekësore dhe mungesa e personelit është arsyeja pse ju ka pezulluar licenca e punës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Gazeta ka kontaktuar edhe me zyrtarët e këtij spitali, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje për të dhënë sqarime në lidhje me pezullimin e licencës. /Gazeta Shneta/