Në një anketë të realizuar nga Oda e Mjekëve, ka dal se mbi 11 për qind e mjekëve sulmohen nga kolegët e tyre ndërsa 1.4 për qind janë sulmuar fizikisht nga pacientët ose familjarët
Oda e Mjekëve të Kosovës ka publikuar sot rezultatet e një ankete të kryer me mjekë nga të gjitha nivelet shëndetësore në Kosovë për “Dhunën ndaj mjekëve”. Në këtë pyetësor janë përgjigjur 381 anëtarë të Odës, ku 36 për qind prej tyre nga spitalet rajonale, 29 për qind nga kujdesi primar, 24 për qind nga QKUK, 7 për qind nga spitalet private dhe 3.2% nga institutet emergjente të mjekësisë.
Në pyetjen nëse kanë qenë ndonjëherë objekt i sulmit verbal apo fizik gjatë ushtrimit të detyrës, 78.80 për qind e mjekëve janë përgjigjur se kanë përjetuar dhunë të tillë, ndërsa 21.20 për qind janë përgjigjur me Jo. Ndërsa vetëm 1.4 për qind e tyre kanë deklaruar se janë sulmuar fizikisht, shkruan Gazeta Shneta.
Rezultati më befasues në këtë anketë është se 11.40 për qind e mjekëve në Kosovë sulmohen nga kolegët e tyre, qoftë në formë verbale apo fizike. 15.70 për qind e rasteve mjekët janë sulmuar nga vet pacientët, ndërsa në 68.70 për qind janë sulmuar nga familjarët e pacientëve.
Shumica e mjekëve nuk i raportojnë rastet në Policinë e Kosovës me frikën se do të ripërseriten. Vetëm 32.9 për qind e rasteve janë paraqitur në organet kompetente. 47.80 për qind janë përgjigjur se nuk e kanë raportuar rastin pasi “nuk dëshirojnë të kenë probleme shtesë”, 2.60 për qind nga frika se përsëritet sulmi si dhe 5.3 për qind nga reagimi i mundshëm i shoqërisë.
Një për qind e mjekëve të sulmuar fizikisht kanë qenë të hospitalizuar për shkak të lëndimeve. Sipas anketës, mbi 30 për qind e mjekëve ndihen të pasigurt në vendin e tyre të punës. Në anketë mjekët janë pyetur edhe për mënyrën e funksionimit të sigurisë në spitale, qasjen e familjarëve në spitale, si dhe mundësinë e edukimit për menaxhimin më të mirë të situatave të vështira me pacientë apo familjarë.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Dr. Pleurat Sejdiu ka deklaruar se institucionet shëndetësore nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur imazhin dhe sigurinë e mjekëve. Sejdiu ka thënë se ndaj mjekëve po krijohet do ditë e më shumë pesimizëm si pasojë e rezultateve të dobëta nga trekëndësi mjek-pacient-media. Sejdiu ka deklaruar se janë duke planifikuar që në vjeshtë të organizojnë trajnime për menaxhim të situatave të tilla.
Gjatë këtij prezantimi Sejdiu ka ndarë edhe licencat e para nga Oda e Mjekëve të Kosovës pas bartjes së kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/