Kanceri i gjirit vazhdon të jetë forma më e shpeshtë e kancerit tek gratë, por mjekët po paralajmërojnë për një simptomë që shpesh kalon pa u vënë re – dhe që nuk ka të bëjë me masën klasike në gji.
Sipas të dhënave nga American Cancer Society, këtë vit priten mbi 321 mijë raste të reja me kancer të gjirit dhe mbi 42 mijë vdekje vetëm në SHBA. Megjithatë, ekspertët thonë se fokusi vetëm te “masa” si shenjë kryesore mund të jetë i rrezikshëm, përcjell Gazeta Shneta.
Një simptomë që po ngre shqetësim është ndryshimi i lëkurës së gjirit, që mund të duket si “lëkurë portokalli” (dimpling).
Sipas mjekëve, kjo shenjë shpesh lidhet me një formë të rrallë dhe agresive të sëmundjes – kancerin inflamator të gjirit.
Dr. Tara Olson thekson se ky ndryshim i lëkurës është “pothuajse gjithmonë kancer i gjirit”, duke kërkuar vëmendje të menjëhershme mjekësore.
Kanceri inflamator i gjirit përbën vetëm 1–5% të rasteve, sipas National Institutes of Health, por është shumë më agresiv dhe përhapet shpejt – shpesh brenda disa javësh apo muajsh.
Ndryshe nga format e tjera, ky lloj kanceri zakonisht nuk krijon masë, duke e bërë më të vështirë zbulimin. Në vend të saj, simptomat përfshijnë:
ndryshim të ngjyrës së lëkurës (skuqje, rozë ose vjollcë)
rritje të madhësisë së gjirit dhe ndjesi rëndese
djegie apo ndjeshmëri
tërheqje të thithkës
ënjtje të nyjeve limfatike
Sipas MD Anderson Cancer Center, ky lloj kanceri shpesh nuk shfaqet në mamografi, çka çon në keqdiagnostikim dhe vonesë në trajtim.
Ekspertët nga Yale Medicine paralajmërojnë se prognoza për këtë formë është më e rëndë se për shumicën e kancereve të gjirit, duke e bërë zbulimin e hershëm jetik.
Sipas Northwestern Medicine, grupet më të rrezikuara përfshijnë gratë me obezitet, gratë me ngjyrë dhe moshat më të reja.
Mjekët rekomandojnë që çdo ndryshim i pazakontë në gji – edhe pa prani të një mase – të mos neglizhohet, por të kontrollohet menjëherë përmes ekzaminimeve dhe analizave përkatëse./Gazeta Shneta/




