Mjekët endokrinologë në Suedi po paralajmërojnë prindërit se kremrat dhe xhelet hormonale që i përdorin mund të kalojnë te fëmijët përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën.
Të paktën dhjetëra fëmijë në Suedi kanë zhvilluar ndryshime fizike të papritura pas ekspozimit të pavetëdijshëm ndaj hormoneve që përdoren nga prindërit e tyre, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në një rast, një vajzë 10-muajshe zhvilloi zmadhim të klitorisit, pasi kishte qëndruar në gjoksin e babait të saj, i cili përdorte xhel testosteroni. Ndërkohë, një djalë 10-vjeçar nisi të zhvillonte gjinj pas ekspozimit ndaj trajtimit hormonal të nënës së tij.
Mjekët në Spitalin Universitar “Sahlgrenska” në Göteborg u kanë bërë thirrje prindërve të shmangin kontaktin e menjëhershëm me fëmijët pas aplikimit të këtyre trajtimeve.
Sipas Dr. Jovanna Dahlgren, lëkura e bebeve është shumë përthithëse dhe ekspozimi ndaj hormoneve mund të shkaktojë pasoja afatgjata.
Si alternativa, ajo sugjeron injeksione më të rralla për testosteronin, si dhe përdorimin e tabletave ose ngjitëseve në vend të sprejve me estrogjen.
Gjithashtu, rekomandohet që preparatet të aplikohen në zona të trupit që nuk preken lehtë nga fëmijët, si kofshët e brendshme ose shpina.
Sipas Agjencisë Suedeze të Barnave, që nga viti 2019 janë raportuar 12 raste të ekspozimit të padëshiruar.
Megjithatë, Dr. Dahlgren beson se numri real mund të jetë shumë më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen. Raste të ngjashme janë dokumentuar edhe në vende të tjera evropiane, si Gjermani, Franca dhe Uellsi.
Ekspozimi i përsëritur ndaj hormoneve mund të shkaktojë ndryshime të përhershme në trupin e fëmijëve, përfshirë çrregullime në rritjen e kockave dhe zhvillim seksual të parakohshëm. /Gazeta Shneta/


