Mjeku i njohur me përmasa ndërkombëtare dhe profesori i Universitetit Shtetëror të Ohajos, Dukagjin Blakaj, do t’i bashkohet stafit akademik të Universitetit të Prishtinës (UP).
Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët e UP-së përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook. Në mbledhjen e fundit të mbajtur më 29 tetor 2025, është miratuar asociimi i profesorit Blakaj me Universitetin e Prishtinës.
Blakaj do të angazhohet me orë të pjesshme në Fakultetin e Mjekësisë, duke sjellë përvojën e tij të pasur akademike dhe profesionale nga një prej universiteteve më të njohura në Shtetet e Bashkuara, transmeton Gazeta Shneta.
Ai është profesori i dytë nga diaspora akademike që i bashkohet UP-së në këtë format bashkëpunimi, duke forcuar lidhjet mes institucioneve arsimore dhe profesionistëve shqiptarë në mbarë botën.
Njoftimi i plotë nga UP-ja:
Në mbledhjen e 21-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar më 29 tetor 2025, me propozim të rektorit Arben Hajrullahu u miratua asociimi i profesorit të Universitetit Shtetëror të Ohajos, Dukagjin Blakaj, me Universitetin e Prishtinës.
Profesori Blakaj, që do të punojë me orar të pjesshëm në Fakultetin e Mjekësisë, është profesori i dytë nga diaspora jonë akademike, i asociuar me Universitetin e Prishtinës.
Onkologu i rrezatimit që drejton Departamentin për Kokë dhe Qafë të Onkologjisë Rrezatuese në Universitetin Shtetëror të Ohajos, asociohet me Universitetin e Prishtinës në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së.
Profesori Blakaj studimet themelore për kimi, biologji molekulare dhe biofizikë i kreu në Universitetin Ëesleyan të Konektikatit, ndërsa ka mbaruar studimet e mjekësisë (M.D.) në Albert Einstein College of Medicine, në Neë York, ku edhe magjistroi në fushën e biokimisë dhe doktoroi.
Ai është profesor në Departmentin e onkologjisë rrezatuese (Department of Radiation Oncology) në Ohio State University, Comprehensive Cancer Center – Arthur G. James Cancer Hospital and Richard J. Solove Research Institute Columbus, Ohajo.
Profesori Blakaj është autor e bashkautor i një sërë publikimesh shkencore në fushat e interesimeve rreth tumoreve të ndryshme, terapive eksperimentale kundër këtyre sëmundjeve, radiologjisë, etj, dhe beson se vetëm me punë ekipore mund të mposhtet përfundimisht kanceri.
Senati i Universitetit të Prishtinës më 30 shtator 2025 vendosi po ashtu që ta asociojë me UP-në edhe profesorin e Universitetit të Qytetit të Dablinit, i asociuar edhe me Universitetin e Oksfordit, Gëzim Visoka.
Pajtimi i profesorëve me përmasa ndërkombëtare dhe integritet të lartë akademik si Blakaj e Visoka për të u asociuar me UP-në, p.sh. përmes ligjëratave, zhvillimit të kërkimeve dhe bashkëpunimeve shkencore, do t’i ndihmojë UP-së të jetë në hap me zhvillimet e hovshme të kohës. /Gazeta Shneta/




