Numërimi ditor i hapave është bërë një mënyrë e njohur për të ndjekur aktivitetin fizik, por një studim i ri ka analizuar nëse kohëzgjatja e ecjeve ndikon në përfitimet për shëndetin.
Studimi përfshiu persona që bënin 8,000 hapa ose më pak në ditë dhe zbuloi se ata që ecnin për periudha më të gjata kishin rrezik më të ulët vdekjeje dhe sëmundjesh kardiovaskulare krahasuar me ata që ecnin me ndërprerje të shkurtra.
Studimi i publikuar në “Annals of Internal Medicine”, përfshiu 33,560 pjesëmarrës nga UK Biobank.
Të gjithë mbanin pajisje për matjen e hapave për një javë. Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe, sipas gjatësisë mesatare të ecjeve: më pak se 5 minuta, 5–10 minuta, 10–15 minuta dhe 15 minuta ose më shumë.
Rreth 43% bënin ecje më të shkurtra se pesë minuta, ndërsa vetëm 8% ecnin 15 minuta ose më gjatë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Pas një periudhe mesatare ndjekjeje prej gati tetë vjetësh, u regjistruan 735 vdekje dhe 3,119 raste sëmundjesh kardiovaskulare.
Analizat treguan se ecjet më të gjata lidheshin me rrezik dukshëm më të ulët për vdekje të hershme dhe sëmundje të zemrës.
Efekti ishte më i fortë te personat më pak aktivë, sidomos ata që bënin nën 5,000 hapa në ditë.
Sipas autorit kryesor, profesor Borja Del Pozo Cruz, “tek të rriturit që bëjnë më pak se 8,000 hapa në ditë, ecjet e qëndrueshme prej të paktën 10 minutash lidhen me përfitime të mëdha për shëndetin e zemrës dhe jetëgjatësinë”.
Ky studim sugjeron se jo vetëm numri i hapave, por mënyra se si ecim, mund të ketë ndikim të madh në shëndetin tonë. /Gazeta Shneta/


