Duke ju referuar jetës së tij në përgjithësi, formimit mjekësor, i kombinuar me përvojën e tij në kryerjen e kërkimeve klinike, Universiteti James Madison, një universitet me traditë të lartë që u themelua në vitin 1908, e ftoi mjekun kosovar për të mbajtur një fjalim inspirues dhe motivues para studentëve të nivelit master dhe të doktoratës.
Kjo paraqitje është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për Shehun pasi që ceremonitë e diplomimit në SHBA kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe gjithmonë në këto ceremoni folësit janë njerëz me ndikim të madh, duke filluar nga presidentët e tutje.
Denze Ëashington, Steve Jobs e shumë emra të tjerë kanë mbajtur një fjalim të tillë në universitete të ndryshme prestigjioze në SHBA, dhe kjo tashmë është kulturë për të inspiruar gjeneratat e posadiplomuara. James Madison Univerity e nderoi ish studentin e tyre, Arbërin, për të motivuar dhe inspiruar gjeneratën e të posadiplomuarve të vitit 2022 – ku ai me fjalimin e tij përballë 7000 vetave, emocionoi të gjithë.
Sapo doli në foltore, Shehu u mirëprit jashtëzakonisht mirë e ndoshta kjo edhe i ndihmoi të tejkaloj emocionet që padyshim duhet të ishin të mëdha kur je në një vend aq të rëndësishëm.
Mjeku Arbër Shehu e nis fjalimin e tij duke treguar për emocionet pasi mori ftesën që të jetë folës në këtë ceremoni kaq të rëndësishme.
“Disa javë më parë, unë isha në mes të një punimi kërkimor në Hokings kur mora një email nga James Medison për të më pyetur dhe nderuar mua që të jem folës para jush sot. Nuk mund ta besoja, por në të njëjtën kohë u ndjeva shumë i nderuar, niveli im i emocioneve preku qiellin. Menjëherë telefonova familjen, çfarë emocioni, fillova të ndjehem në ankth, sepse nuk jam mësuar të flas para një audience kaq të madhe. Çka do të flas, motrat e mia, madje edhe nipi im 5-vjeçar e kuptoi ankthin tim, por, bashkë me këshillën e saj, nëna ime më tha që të jem i qetë. Ajo gjithmonë thotë se kurdo që një gjë e keqe apo e mirë ndodhë, duhet të qëndrojmë të qetë dhe të jemi pozitivë. Ajo më rikujtoi që audienca para të cilës do të flas janë vëllezërit dhe motrat, shokët dhe komuniteti im. Këta janë të njëjtit njerëz që më mirëpritën mua, që i hapën dyert për mua, kur unë isha i huaj këtu”, kështu nisi fjalimin e tij Shehu ku tutje tregoi rrugëtimin e tij drejt diplomimit në vitin 2020 në J.M.U master në shkenca mjekësore dhe pozitës që mori në John Hopkings si hulumtues klinik në laborator.
Në një ceremoni kaq të rëndësishme, Shehu e vazhdoi fjalimin e tij duke folur për vetën, nga vjen dhe si ishte rrugëtimi i tij deri sot. Ai foli për Kosovën, për luftën dhe gjenocidin serb.
“Për ju që nuk më njihni, unë jam një i mbijetuar i gjenocidit serb në Kosovë. Më 25 mars, 1999, forcat serbe sulmuan fshatin tim të fëmijërisë, isha nëntë vjeçar, na morën bashkë me prindërit dhe motrat e mia më të reja së bashku me grupin që ishin rreth 400 shqiptarë të Kosovës që do t’i ekzekutonin. 25 marsi, 1999 ishte dita e fundit kur e pashë për herë të fundit babanë tim. Më nuk i pashë edhe 113 burra të tjerë, por e di që vuajtën njësoj si babai im. Ata u vranë brutalisht dhe u djegën në vend përderisa pjesa e mbetur prej nesh ikëm nga malet. Nëna, motrat e mia dhe unë udhëtuan me javë për të gjetur një vend të sigurt. Më kujtohet ajo ditë sikur të ishte sot, ditën kur mrekullisht ikëm, dita kur fëmijëria ime u vodh. Mu desh të mësoja se si të marr përgjegjësi për familjen, pjesëtarët të cilët i mbijetuan kësaj tragjedie, nuk kisha zgjidhje tjetër”, rrëfen Shehu para të pranishmëve.
Ai tutje tregoi se ishin pikërisht ato ditë që shtruan vizionin dhe qëllimin e tij për jetën. /Kultplus
(Fjalimin e mjekut Arbër Shehu mund ta ndiqni nga, 1:05.)