Mjeku që po kërkohet nga Policia, nuk ka qenë asnjëherë anëtar i OMK-së

2021-02-23 në ora 18:07

Policia e Kosovës është në kërkim të Ramadan Sopaj për vuajtje të dënimit për shkak të veprave penale për keqpërdorim seksual nën moshën 16-vjeçare.

Sopaj ka punuar si mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Shpëtim Robaj” në Malishevë, por po del se këtë profesion ai e ka ushtruar jashtëligjshëm pasi nuk ka qenë anëtar i Odës së Mjekëve, shkruan Gazeta Shneta.

Këtë e ka konfirmuar OMK përmes një reagimi publik ku bëhet e ditur se Sopaj nuk ka qenë asnjëherë anëtar i kësaj organizate.

“Oda e Mjekëve të Kosovës sqaron dhe distancohet nga veprimet e Dr. Ramadan Sopaj, pasi që ky mjek nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë anëtar i OMK-së. Sipas këtyre të dhënave Dr. Ramadan Sopaj ka punuar jashtëligjshëm”, thuhet në reagimin e OMK-së.

Më poshtë e gjeni thirrjen e plotë të Policisë:

Policia e Kosovës  ka kërkuar ndihmë për kapjen e një personi në kërkim.

Personi i kërkuar është Ramadan (Feriz) Sopaj i lindur me 03.05.1955 nё fshatin Janqishtë, Komuna e Malishevës.

I dënuari është i kërkuar për dërgim në vuajtje të dënimit për veprat penale:

Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeç

Sulm seksual

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës.

192 dhe 080019999 (pa pagesë)

029 269 007 -S.Policor Malishevë-Drejtoria Rajonale Gjakovë

E-mail adresa: [email protected]