Fill pas kurorëzimit të dashurisë, dhëndri lë kishën dhe nxiton të shpëtojë jetën e një turisteje 60- vjeçare. Kjo është historia e mjekut shqiptar Sokol Berisha, i cili aktualisht jeton dhe ushtron profesionin e tij në Perugia.
Me të mbaruar ceremoninë martesore në kishën San Francesco d’Assisi a Matera, Berisha vuri re një grua të rënë në tokë, në shëtitoren San Francesco.
Fati deshi që burri, i cili sapo kishte shkëmbyer betimet e dashurisë, të ishte mjek. Berisha nxitoi drej saj dhe e mbajti në jetë duke përdorur defibrilatorin e kishës (pajisje mjekësore), të ndodhur aty prej dy vitesh, me qëllim dhënien e ndihmës së shpejtë.
Pas ndërhyrjes nga ana e tij, gruaja u dërgua me urgjencë në spital. Doktori- hero është i njohur në botën e mediave sociale rreth të qenurit administrator dhe bashkëthemelues i grupit më të madh italian të diskutimeve klinike në mjekësinë e përgjithshme.