Një mjet inovativ i bazuar në inteligjencë artificiale (AI) mund të ndihmojë pacientët me kancer të zorrës së trashë të shmangin kimioterapinë që shpesh jepet pa nevojë, duke e bërë trajtimin më të saktë dhe më të personalizuar.
Teknologjia po zhvillohet nga startup-i norvegjez DoMore Diagnostics, i cili përdor AI për të analizuar mostrat e indeve të kancerit me shumë më tepër detaje sesa mund të dallojë syri i njeriut.
Sistemi skanon imazhet digjitale të të njëjtave mostra që përdorin patologët dhe vlerëson sa agresiv është tumori dhe sa i lartë është rreziku i përhapjes së tij, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
“Ne po personalizojmë trajtimin e kancerit duke shfrytëzuar fuqinë e inteligjencës artificiale. Ende ka shumë pacientë që marrin trajtime toksike pa përfitim real,” tha Torbjørn Furuseth, drejtor ekzekutiv i DoMore Diagnostics.
Kanceri kolorektal është kanceri i tretë më i shpeshtë dhe i dyti më vdekjeprurës në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Edhe pse shumica e pacientëve shërohen vetëm me ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapia shpesh aplikohet si qasje standarde, duke i ekspozuar pacientët ndaj efekteve anësore afatshkurtra dhe afatgjata.
Sipas kompanisë, 96–98% e pacientëve në stadin e dytë dhe rreth 80% në stadin e tretë i nënshtrohen efekteve anësore të kimioterapisë pa përmirësim të dukshëm të rezultateve.
Mjeti i DoMore Diagnostics është zhvilluar mbi bazën e një bashkëpunimi kërkimor mes Universitetit të Oksfordit, Spitalit Universitar të Oslos dhe University College London (UCL). Ai është trajnuar me mijëra imazhe dhe të dhëna afatgjata të pacientëve, duke rezultuar – sipas studiuesve – më i saktë në parashikimin e ecurisë së sëmundjes sesa vlerësimet tradicionale.
Aktualisht, testi i bazuar në AI po përdoret për validim në spitale në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Meksikë, duke hapur rrugën për trajtime më të sakta dhe më pak të dëmshme për pacientët me kancer.


