Neurokirurgu Arsim Morina, i cili është edhe drejtor i Klinikës së Neurokirurgjisë në QKUK, nuk po pranon të operojë pacientët pa gruan e tij anesteziologe e cila doli në pension para katër muajsh. Ai i ka referuar për trajtim jashtë institucioneve publike mbi 20 raste dhe për këtë veprim të tij po hetohet nga Inspektorati Shëndetësor
Morina në muajin shkurt të këtij viti i kishte bërë kërkesë SHSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që ta rikthejnë në punë bashkëshorten e tij Qamile Morina – anesteziologe – e cila u pensionua në fillim të vitit.
Në kërkesën e tij Morina kishte shkruar se nuk do të marr rrezikun që të punojë me anesteziologë të tjerë, pasi sipas tij bashkëshortja e tij ishte trajnuar në Gjermani për neuro-anesteziologji.
“Me shumë keqardhje ju njoftojë se pacientët e tillë me patologji të rënda për të mos kërcënuar sigurinë e pacientit në mungesë të neuroanesteziologut kompetent, nuk do të mund të i operojë në klinikë dhe do të jem i detyruar që nga tani e tutje ata t’i rekomandojë për trajtim jashtë qendrës tonë”, ka shkruar Morina në kërkesën e tij, raporton klan kosova.
Kërkesa e tij ishte refuzuar dhe Morina ka referuar mbi 20 raste për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Për këtë veprim të tij tani po hetohet edhe nga Inspektorati Shëndetësor. /Gazeta Shneta/