Me dhjetëra qytetarë të kryeqytetit qysh në orët e para të mëngjesit janë nisur për në qendrat mjekësorë familjare, për të marrë insulina.
E, kishte edhe prej atyre që nuk kishin marrë për dy muaj medikamentin jetik për sëmundjen e diabetit.
Edhe përse Ministria e Shëndetësisë kishte shpërndarë insulina, ato edhe kësaj radhe janë të kufizuara dhe madje nuk përmbushin kërkesat e të gjithë pacientëve që kanë nevojë për to.
Një person me inicialet T.B., e që është rreth të 50-tave, ishte duke pritur me librezë në dorë në QKMF në Prishtinë për të marrë insulinën, derisa ajo tregon se këtë medikament s’ka arritur ta sigurojë qe dy muaj.
Ajo ka rrëfyer për “Zërin” se vazhdimisht ka mungesa të këtij medikamenti, andaj edhe është e detyruar që vetë ta blejë atë në barnatore me çmim 10 euro.
“Kam dëgjuar se kanë sjellë insulina dhe erdha të marr. Qe dy muaj nuk kam marrë. Po ka mungesa të insulinës dhe po më duhet të dal dhe t’i blej vetë në barnatore. I kam blerë disa herë dhe më kanë kushtuar 10 euro”, ka thënë ajo.
Ndërsa, hallin e njëjtë me të po e ndajnë edhe më shumë pacientë të tjerë, të cilët me libreza në dorë po prisnin në radhë për të marrë insulina.
“Mos pritni shumë, sepse paska prapë mungesa të insulinave”, u shpreh njëra nga pacientet sapo doli nga dera e barnatores së Qendrës së Mjekësisë Kryesore Familjare në Prishtinë.