Mbi kalanë e harruar të Kaçanikut dikur ekzistonte një simbol i qytetit, ku vinin turistë nga e gjithë Kosova dhe bota. Sot, ky simbol është shkatërruar, harruar dhe demoluar, në pritje të një shkëlqimi të radhës.
Bëhet fjalë për Motel “Kalaja”, i hapur në mesin e viteve ’70. Moteli kishte 11 dhoma dhe 22 punëtorë.
“Ka pas turistë nga Italia, Franca, Gjermania. E kanë parë reklamën e Motel ‘Kalaja’ nga lart dhe kanë ardhë këtu”, tregon Brahim Frangu, ish-drejtues i Motel “Kalaja” në Kaçanik.
Histori, tregime, jetë nate dhe qejfi që sot janë shndërruar në rrënojë.
“Këtu kanë ardhë edhe Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli. Lah Nimani me 22 boksierë ka qëndru këtu”, shprehet Frangu.
Zotëri Frangu kishte ardhur nga Alpet e Austrisë për t’u punësuar në këtë motel.
“Nuk jam penduar që kam ardhë prej Austrisë”, thotë ai.
Gjatë viteve ’90, Moteli i Kaçanikut ishte shndërruar në strehë për refugjatë serbë të ardhur nga ish-Jugosllavia, ndërsa pas luftës në këtë hapësirë kanë banuar disa familje të pastreha.
Por rrëfimi nuk përfundon me kaq. Objekti i radhës është ish-Spitali i Mushkërive mbi Kaçanik, aty ku dikur shumë njerëz gjetën shërim.
Spitali i Mushkërive thuhet se ka funksionuar deri në fund të viteve ’80 dhe më pas është shndërruar në një lloj fabrike të fashave.
“Është gjynah si e kanë lënë. Në këtë vend janë tri rryma ajri”, tregon Frangu.
Pas luftës, spitali i dikurshëm u shndërrua në kazermë të UÇK-së, e më pas u shfrytëzua nga të pastrehët dhe rastet sociale të Kaçanikut.
Rrëfimin e plotë mund ta shihni në këtë vegëz:




