Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është një ndër figurat më të njohura të PDK-së, njëherësh ka afërsi të madhe me kreun e kësaj partie, Kadri Veseli.
Në valën e njerzëve të punësuar në institucione publike, figuron edhe emri i motrës së ministrit Ismaili, Ratibe Ismaili-Dreshaj, e cila është punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës.
Siç raporton Koha.net, Ismaili-Dreshaj, është duke punuar në Kabinetin e Guvernatorit të bankës, Fehmi Mehmeti. Ndërkohë që Ismaili-Dreshaj, më parë, ka punuar edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, si këshilltare e zëvendësministres Besa Zogaj-Gashi.
Në pyetjet drejtuar bankës nga Kohavision, banka e ka pranuar që ajo punon aty, derisa herë të tjera lavdërohet për punën që ky institucion bën me staf minimal.
“BQK-ja ka arritur që me një staf prej 218 personash, të plotësojë të gjitha kërkesat që parashikohen me ligj, ashtu edhe kërkesat që vijnë nga bashkëpunimi shumëvjeçar që BQK-ja ka me institucionet vendëse dhe ato ndërkombëtare, nga të cilat ka marrë vetëm vlerësime pozitive. Prandaj, me këtë rast, dëshirojmë të konfirmojmë se të gjithë personat e përmendur nga ju, janë pjesë e personelit të BQK-së dhe i janë bashkëngjitur këtij institucioni në sajë të përgatitjes së tyre akademike e profesionale, si dhe përvojës që kanë bartur nga institucione të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Për punësimin e motrës së tij, ka heshtur ministri Uran Ismaili.