Mrekullia e Trojës, lindi në javën e 25-të në QKUK, sot ka mbushur 5 vjet

2018-01-29 në ora 17:17

Nëna që lindi vajzën e saj në javën e 25-të, ka falënderuar mjekët e QKUK-së për kujdesin ndaj saj. Duke rrëfyer qëndrimin e saj 123 ditësh në Klinikën e Neonatologjisë, nëna shprehet shumë e lumtur që vajza e saj tashmë ka mbushur 5 vjet

Nëna Arbnora Loshaj nxitoi për në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK më 7 janar të vitit 2013. Ajo ishte shtatzënë me vajzë dhe pas disa komplikimeve lindi në javën e 25-të. Historia e saj jep shpresë për secilin prind që përballet me situatë të tillë.

Foshnja kishte lindur me peshë 980 gram por shpejtë kishte rënë në 700. Pas lindjes ishte ftuar në sallë neonatologu Dr. Xhevdet Gojnovci, i cili e kishte vendosur beben në repartin e tretë në Klinikën e Neonatologjisë. Pas tre ditëve gjendja e saj ishte përkeqësuar.

Nëna Arbnora Loshaj rrëfen ngjarjen tutje duke treguar se si infermierja Elvane Ramadani kishte reaguar menjëherë duke dërguar beben në kujdesin intensiv.

“Do të jem falënderuese gjatë gjithë jetës ndaj motrës Elvane”, shprehet nëna. Pas këtij momenti kritik, foshnjën e kishte marr nën përkujdesje Dr. Shener Huniler dhe në vazhdim Dr. Miradije Hyseni.

VIDEO – Troja gjatë qëndrimit në Klinikën e Neonatologjisë

“Nuk më besohej se në vendin tonë kishte përkujdesje mjekësore të tillë, rregulla dhe trajtime profesionale që nuk i gjen as në rajon me punë intensive 24 orë në javë”, deklaron nëna Arbnora.

Ajo thotë se sa i përket kujdesit asgjë nuk ka munguar, përveç barnave që nuk furnizoheshin nga Ministria e Shëndetësisë dhe detyroheshin t’i blinin vet, disa prej të cilave jashtë shtetit.

Arbnora e cila qëndroi për 123 ditë në këtë klinikë së bashku me beben e saj, shpreh mirënjohjen ndaj stafit për të cilët thotë se kanë bërë punë të palodhshme duke i dhënë përkrahje morale gjatë gjithë kohës.

Ajo tregon se ka pasur edhe prind të tjerë gjatë kësaj kohe në klinikë, të cilët kanë shprehur pakënaqësi me trajtimin dhe pa fletlëshimin e mjekëve i dërgonin fëmijët në klinika private.

“Fatkeqësisht, pothuajse të gjithë ktheheshin me foshnje ose të eksituara ose para eksitimit. Është më se e vërtetë se kishte raste me komplikime të ndryshme të zemrës apo ndonjë organi tjetër, ku doktorët preferonin trajtimin jashtë vendit, mirëpo vetëm në pamundësi të kryerjes të këtyre intervenimeve në Neonatologjinë e QKUK-së”, pohon ajo, duke shtuar se si ka insistuar tek nënat tjera që të mos i largojnë fëmijët nga klinika.

“Duhet të mësohemi të vlerësojmë profesionalizmin e doktorëve tanë i cili ekziston ne shtetin tonë. Njëkohësisht, jo vetëm repartet tjera por edhe institucionet do të ishte mirë të implementonin formën e tille menaxheriale, të cilën e përdorte ky repart. Gjithçka ishte për lëvdatë”, deklaron Arbonra Loshaj.

VIDEO – Troja tashmë e rritur 5 vjeçe

Nëpërmjet Gazetës Shneta, nëna ka kërkuar që ta falënderoj personelin mjekësor në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.

“Për të gjitha përpjekjet, ndihmën dhe suksesin që u tregua nga Reparti i Neonatologjisë, i falënderoj: Dr.Xhevdet Gojnovci, Dr.Shener Huniler, Dr.Miradije Hyseni, Dr. Lindita Kryeziu, Dr. Burbuqe Skenderi Mustafa, Dr. Faton Xhaka, Dr. Shpresa Sylejmani, Dr. Lumnije Sutaj Syla, Dr. Selimin dhe Infermieret; Elvane Ramadani, Motren Kryesore Aferditën, Vali Makolli, Ajnije Burhani, Lule Zeqiri, Merita Grajqevci, Bedrije Hyseni, Driten, Lida Gashi, Pranvera Ajvazi, Ilirjana Sylejmani, Jehona Zymberi, Merita Abazi. Kërkoj falje nëse kam harruar emrin e ndonjërit”, është shprehur ajo. /Gazeta Shneta/