Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka takuar sot mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, të cilët kanë hyrë në grevë nga sot me kërkesë për rritjen e rrogave.
Ministri ka kërkuar nga kirurgët që të ndërpritet greva me premtimin e se rrogat do të rriten pas rishikimit të buxhetit në qershor, shkruan Gazeta Shneta.
Ky premtim nuk është pranuar nga mjekët dhe greva do të vazhdojë edhe më tutje.
Madje ata kanë paralajmëruar se nga java e ardhshme greva do të thellohet duke ndërprerë punën edhe në emergjencën e Klinikës.
Kirurgët ia kanë bërë me dije ministrit se kjo gjë mund të sjellë rrezik tek pacientët të cilët kanë nevojë urgjente për intervenime.
Ismaili është zotuar se do ta adresojë çështjen tek kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Dr. Blerim Syla, ka thënë se greva nuk është organizuar nga organi që udhëheq ai.
“Greva nuk është organizuar në koordinim me FSSHK-në, por ne mendojmë se kërkesat e kolegëve janë të arsyeshme. Ne nuk marrim përgjegjësi se çfarë do të ndodhë më tutje dhe këtë duhet ta dijë vet ministri i Shëndetësisë”, ka deklaruar Syla për Gazeta Shneta.