MSH pagoi mbi 13,500 euro për tre inspektorë shëndetësor në një kongres në Singapor për dixhitalizimin dhe ndryshimet klimatike

2022-08-04 në ora 16:41

Ministria e Shëndetësisë ka paguar mbi 13 mijë e 592 Euro për pjesëmarrjen e tre inspektorëve shëndetësor në një kongres në Singapor, i cili kishte temë mbikëqyrjen në dixhitalizimin dhe ndryshimet klimatike. Pjesë e këtij udhëtimi ishte edhe kryeinspektori Shaban Osmanaj

Në qershor të këtij viti tre inspektorë shëndetësor, përfshi kryeinspektorin Shaban Osmanaj, morën udhë për Singapor për të marr pjesë në një kongres të titulluar “E ardhmja dixhitale dhe ndryshimet klimatike në rregullatorin shëndetësor”, shkruan Gazeta Shneta.

Kongresi tre ditor është mbajtur në datat 22-24 qershor dhe ishte hibrid me mundësi pjesëmarrje virtuale ose fizike. Por tre inspektorët, kryeinspektori Shaban Osmanaj dhe A.M. e H.B., udhëtuan më 20 qershor për t’u kthyer më 27-tin e po atij muaji. Shpenzimet e tyre i pagoi Ministria e Shëndetësisë të cilat kapën koston prej 13 mijë e 592 Euro.

Këtë e ka konfirmuar MSH përmes një përgjigje për Gazetën Shneta. “Shpenzimet për tre anëtarët e delegacionit të ISH kanë qenë: 13.592 euro në total, përfshirë udhëtimin, akomodiminin, ushqimin dhe shpenzimet e tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kongresi ishte bashkëorganizim nga Partneriteti Evropian për Organizatat Mbikëqyrëse në Shërbimet Shëndetësore dhe Kujdesin Social (EPSO), Ministria e Shëndetësisë e Singaporit dhe ‘Duke-Nus Medical School’.

Kryeinspektori Osmanaj në një përgjigje për Gazetën ka deklaruar se trajnimet e inspektorëve në fushën dixhitale janë të nevojshme pasi sipas tij, kohët e fundit ka avancuar teknologjia dhe shumë shërbime shëndetësore jepen online.

Ai ka thënë se Inspektorati Shëndetësor është anëtar i EPSO-së që nga viti 2014 dhe pjesëmarrja në këtë konferencë iu ka mundësuar atyre të njihen me avancimet në shëndetësinë dixhitale.

“Pjesëmarrja në këtë konferencë na ka ofruar mundësinë që të njihemi në avancimet në shëndetësinë dixhitale dhe inteligjencën artificiale të cilat lehtësojnë qasjen në shërbimet shëndetësore, si dhe sfidat dhe rreziqet e mundshme të cilat mund të paraqiten gjatë përdorimit të teknologjive të reja. Jemi dëshmitarë se në dekadën e fundit ka avansuar teknologjia informative duke përfshirë shumë shërbime shëndetësore, të cilat jepen on line, andaj trajnimet e kësaj natyre janë të domosdoshme për inspektoratin shëndetësorë që të jenë të përditësuara njohurit rreth Inspektimeve Elektronike (E-Inspektimet) në parandalimin e keqpërdorimeve dhe gabimeve eventuale në fushën shëndetësore”, ka shkruar Osmanaj në përgjigjen e tij dixhitale.

Osmanaj tutje ka treguar se zhvillimet në telemjekësi, inteligjencën artificiale, rreziqet kibernetike dhe rregullatorët e shëndetësisë, ishin disa nga temat të cilat janë trajtuar në këtë kongres.

Ai ka thënë se tre inspektorët pjesëmarrës kishin njohuri të gjuhës angleze dhe frëngjishte dhe nuk kishin problem të komunikimit.

Kujtojmë se në Kosovë ekziston një Qendër Kombëtare e Telemjekësisë në të cilën nuk kryhen shërbime shëndetësore, por shfrytëzohet vetëm për edukim të vazhdueshëm shëndetësor. Ndërkaq deri më tani në vendin tonë nuk ka ndonjë platformë zyrtare të shërbimeve shëndetësore online. Në Kosovë fatkeqësisht mungon edhe Sistemi Informativ Shëndetësor i cili tash e disa vite nuk është ende funksional përkundër investimeve milionëshe në pajisje që disa vite. /Gazeta Shneta/