Promovohet udhëzuesi për përdorimin e antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Në ceremoninë e promovimit të udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve, i pranishëm ishte dhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Arben Vitia.
Përmes një njoftimi nga ministria e Shëndetësisë, në këtë tryezë të mbështetur nga SDC/AQH, u diskutua për problemin global të shëndetit publik siç është rezistenca antimikrobike (RAM), përcjell Gazeta Shneta.
Vitia ka thënë se rezistenca antimikrobike ka potencialin të prekë njerëzit në çdo fazë të jetës, si dhe të sfidojë sistemin shëndetësor.
“Rëndësia e udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve duhet të konsiderohet si një hap drejt një plani konkret që do të ngërthejë synime të koordinuara strategjike për të përshpejtuar reagimin e Qeverisë ndaj rezistencës antimikrobike me qëllim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve. Në përballje me rezistencën antimikrobike, Ministria e Shëndetësisë deri më tani ka zbatuar dy plane veprimi që janë në përputhje të plotë me Planin Global të Veprimit të OBSH për rezistencën antimikrobike dhe Konkluzat e Këshillit të Evropës”, thekson ministri Vitia.
Njëkohësisht, ministri Vitia i njoftoi të pranishmit se rezistenca antimikrobike, si nen i veçantë, është përfshirë edhe në ligjin aktual për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, i cili tashmë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Në kuadër të Planit të veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë janë bërë investime në ngritjen e kapaciteteve laboratorike të mikrobiologjisë mjekësore në të gjitha nivelet e sektorit publik.
Në këtë ngjarje, të pranishmit thanë se ndonëse në shtetin tonë është shënuar ulje e ndjeshme në konsumin total të antibiotikëve prej gati 25%, megjithatë, ende kemi shkallë të lartë të keqpërdorimit të antibiotikut ceftriakson në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Dokumenti i prezantuar sot do të jetë udhëzues i mjekut me qëllim ruajtjes së efikasitetit të antibiotikëve. Udhëzuesi do të jetë ndihmesë edhe në realizimin e projektit “International Center for Antimicrobial Resistance Solution”. Ky projekt trevjeçar do të nis i cili do të fillojë gjatë vitit 2024, do të fokusohet vetëm në përdorimin e drejtë të antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Botimi i udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve në KPSh është mbështetur nga SDC /AQH.




