Ministria e Shëndetësisë ka publikuar disa nga kontratat e nënshkruara për furnizim me barna për personat që vuajnë nga sëmundje të rralla në Kosovë.
Kompanitë farmaceutike kanë përfituar kontrata milionëshe për furnizim me barna për sëmundje të rralla, nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Kompania “Santepharm” është operatori ekonomik që ka përfituar më së shumti kontrata në këtë tender. Kjo kompani ka nënshkruar tri kontrata me MSh-në në vlerë mbi 1.8 milionë Euro.
“Santepharm” do ta furnizojë MSh-në me produktin emicizumab tretësirë 30 mg/1 ml. Çmimi për një njësi të këtij produkti është 1776 Euro. Në total kontrata 12 muajshe është 277,075 Euro.
Kontrata tjetër me të cilën është shpërblyer “Santepharm” është produkt i njëjtë veçse me formë tjetër në mililitër. Emicizumab tretësirë për injeksion 60/0.4 ml. Ky produkt është dyfish më i shtrenjtë sesa i pari. MSh do ta paguaj një njësi me 3402 Euro. Në total kontrata 12 muajshe kap shumën prej 925,470 Euro. Këto dy produkte përdoren në rastet e sëmundjes së hemofilisë.
“Santepharm” ka përfituar edhe një tjetër kontratë në vlerë 631,807 Euro për produktin risdiplam i cili përdoret për sëmundjen SMA (Spinal muscular atrophy). Këtë bari MSh do ta blejë me çmim 7521 Euro për një njësi.
Të tri këto produkte emicizumab tretësirë 30 mg/1 ml, Emicizumab tretësirë për injeksion 60/0.4 ml dhe risdiplam janë të prodhuara nga kompania “F. Hoffman La Roche” me seli në Zvicër.
Kompania “Exclusive Corporation” ka fituar dy kontrata, njërën prej tyre për produktin emicizumab por në formë tjetër të mililitrave. Këtë produkt me njësi tretësirë për injeksion SC: 150 mg/ml kjo kompani do t’ia shesë MSh-së në vlerë 5933 Euro për një njësi, ndërsa vlera totale e kontratës 12 muajshe është 23,734 Euro. Edhe ky produkt është nga kompania “F. Hoffman La Roche” me seli në Zvicër.
Ndërsa kontrata e dytë e kompanisë “Exclusive Corporation” është për produktin adalimumab në vlerë totale prej 12,306 Euro.
Kompania “Medical Group” është shpërblyer me tenderin për produktin eculizumab 10mg ml,30ml. MSh i ka dhënë kontratë kësaj kompanie në vlerë 929,078 Euro.
Kompania “Madekos” ka fituar kontratë në vlerë 80,632 Euro për produktin cladribine – tableta 10 mg. Ky ilaç përdoret për sëmundjen e sklerozës multiple. Produkti vjen nga prodhuesi gjerman “Merck”. Një njësi e produktit do t’i kushtojë MSh-së 2067 Euro.
Kompania “Deltapham” poashtu ka fituar kontratë për produktin ofatumumab – tretësirë për injeksion në shiringë të parambushur: 20mg/0.4ml. Edhe ky ilaç i prodhuar nga kompania “Novartis” në Zvicër, përdoret për sklerozën multiple. Kontrata është në vlerë 56,503 Euro ndërsa një njësi do të kushtojë 1448 Euro.
Në fund të vitit 2022 është aprovuar një koncept dokument për sëmundje të rralla ku janë përfshirë rreth 30 produkte. Nga MSh nuk kanë treguar sesa është numri i pacientëve që vuajnë nga këto sëmundje.
“Meqenëse këto barna sigurohen për herë të parë në Kosovë, identifikimi i pacientëve është bërë nga Klinikat në QKUK, ku për këta pacient diagnoza dhe indikacioni është bërë nga specialistët e fushës, andaj, Divizioni i Farmacisë në MSh ka filluar inicimet për aktivitet e prokurimit për 30 barna me qëllim të sigurimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Kujtojmë se kjo ministri një tender të shpallur vitin e kaluar për këto produkte e anuloi me arsyetimin se ishte në kundërshtim me ligjin. /Gazeta Shneta/




