Pulmologu në Klinikën e Mushkërive në QKUK, Dr. Skender Baca, tregon mekanizmat e organizmit për mbrojtje nga ajri i ndotur
Në një bisedë për Gazeta Shneta, Baca thotë se për ndotjen e ajrit nuk ka hapësirë për panikë sepse nuk është shumë e rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Ai i sugjeron qytetarët që të vendosin maska apo shall dhe mundësisht të mos dalin jashtë kur ka mjegull apo temperatura të ulëta.
Megjithatë, pulmologu tregon mekanizmat e organizmit për mbrojtje nga ajri i ndotur.
“Organizimi i ka mekanizmat për mbrojtje. Trakti i sipërm respirator e ka mukozën ujore e cila i tret helmet. Fatmirësisht nuk kalon në traktin e poshtëm respirator sepse përndryshe do të shkaktonte pneunomi dhe si rezultat do të kishte më shumë hospitalizime”, thotë Dr. Baca.
Mukoza është një cipë e hollë, e përbërë nga një lëndë e bardhë dhe e tejdukshme, që vesh faqet e brendshme të disa organeve të trupit. Ajo gjendet edhe në gojë ku prodhon edhe pështymën.
Baca tregon se në Klinikën e Mushkërive paraqiten çdo ditë rreth 50 pacientë dhe vetëm 5 për qind e tyre kërkojnë ndihmë si rezultat i ajrit të ndotur. Ndërsa të shtrirë në klinikë janë 68 pacientë, ku asnjë prej tyre nuk është pasojë e drejtpërdrejt të ajrit të ndotur.
Dr. Baca shpjegon tutje se helmet ndahen në dy grupe, ato që treten në ujë dhe ato në yndyrë. Sipas tij, helmet e dyta nuk gjenden në Kosovë.
“Ndërsa helmet që mund të vijnë nga qymyri treten në ujë dhe nuk janë të rrezikshme, por sigurisht se duhet të qëndrojmë larg nga kontakti aq sa mundemi”, thotë ai.
Mjeku shton se duhani është kërcënues më i madh i shëndetit të njeriut, sesa ndotja e ajrit nga qymyri.
“Kur e bëjmë bronkoskopinë në traktin bronkial ne i dallojmë pllakat antrakotike nga qymyri. Madje këtë e kemi hasur edhe te gratë 60 vjeçe që kanë jetuar në Obiliq. Të njëjtat pllaka gjenden edhe tek duhanpirësit.
“Tmerri dhe katastrofa e shëndetit dhe ekonomisë së qytetarëve është duhanpirja ku shpenzohen çdo ditë rreth 500 mijë euro duhan. Deri 94 për qind kanceri i mushkërive lidhet drejtpërdrejt me duhanin”, ka thënë Dr. Baca.
Ai deklaron se lidhja kauzale e kancerit me ajrin e ndotur është zero. /Gazeta Shneta/