Mungesa e gjumit lidhet me rritjen e rrezikut për zhvillimin e hipertensionit dhe problemeve kardiovaskulare tek gratë, sipas një analize të re të prezantuar në kongrese ndërkombëtare të kardiologjisë dhe të cituar nga American Heart Association.
Sipas gjetjeve të studimit, gratë që flenë më pak se gjashtë orë në natë kanë një rrezik dukshëm më të lartë për tension të lartë të gjakut, si dhe për komplikime të tjera që lidhen me sistemin kardiovaskular, shkruan American Heart Assocation, transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit theksojnë se mungesa kronike e gjumit mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e zemrës dhe enëve të gjakut.
Ekspertët shpjegojnë se një nga mekanizmat kryesorë të këtij ndikimi lidhet me rritjen e hormoneve të stresit në organizëm, si dhe me çrregullimet metabolike që shkaktohen nga pagjumësia.
Këto ndryshime, sipas tyre, mund të çojnë në rritje të presionit arterial dhe në ngarkesë më të madhe për sistemin kardiovaskular.
Në raport gjithashtu theksohet rëndësia e krijimit të një rutine të rregullt të gjumit, si dhe respektimi i “higjienës së gjumit”, që përfshin orare të qëndrueshme të fjetjes, shmangien e ekraneve para gjumit dhe krijimin e një ambienti të qetë për pushim. /Gazeta Shneta/


