Studiuesit vlerësojnë se çdo tre sekonda, dikush në botë zhvillon demencë.
Gjumi i pamjaftueshëm është një faktor rreziku i modifikueshëm për demencën, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Aktualisht ka më shumë se 55 milionë njerëz në mbarë botën që jetojnë me demencë, dhe studiuesit vlerësojnë se dikush në botë zhvillon demencë çdo tre sekonda.
Ndërsa numri i njerëzve me demencë pritet të arrijë në rreth 153 milionë deri në vitin 2050, studiuesit kanë punuar shumë për të gjetur më shumë mënyra për të ulur rrezikun e një personi për të zhvilluar këtë sëmundje neurologjike.
Tani, një studim i ri ofron më shumë prova duke gjetur se një ulje prej 1% e gjumit të thellë – çdo vit për njerëzit mbi 60 vjeç është i barabartë me 27% rritje të rrezikut të zhvillimit të demencës.
Gjetjet u botuan së fundmi në revistën “JAMA Neurology”.
Për këtë studim, studiuesit nga Universiteti Monash në Melburn, Australi, ekzaminuan të dhënat nga 346 pjesëmarrës të studimit mbi moshën 60 vjeç të regjistruar në ‘Studimin e Zemrës në Framingham’.
“Përgjigjja ndaj përhapjes në rritje të demencës është një nga sfidat më kritike të kohës sonë,” tha Dr. Matthew Pase, autor i studimi për Medical News Today.
“Meqenëse nuk kemi ndonjë trajtim kurativ të disponueshëm për të ndalur ose rikthyer përgjithmonë demencën, ne ishim të interesuar të kuptonim mënyrat se si mund të parandalohet demenca në radhë të parë,” tha ai.
Pas analizave, ekipi hulumtues gjeti gjithsej 52 raste të demencës.
Edhe pas përshtatjes për një sërë faktorësh, duke përfshirë moshën, gjininë dhe përdorimin e ilaçeve për gjumin, studiuesit zbuluan se çdo përqindje e rënies së gjumit të thellë çdo vit shoqërohej me një rritje prej 27% në rrezikun e demencës.
“Ne e dimë se gjumi i thellë është kritik për një tru të plakur. Ndihmon në largimin e mbetjeve metabolike nga truri dhe gjithashtu në konsolidimin e kujtimeve. Gjithashtu ndihmon në mbrojtjen kundër faktorëve të tjerë të rrezikut të demencës, si presioni i lartë i gjakut. Prandaj, nuk u befasuam kur pamë se rëniet më të mëdha të gjumit të thellë shoqëroheshin me një rrezik më të lartë të demencës”, tha Dr. Matthew Pase. /Gazeta Shneta/