Ngjarja vjetore “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët”, aktivitet 4-ditor në mbështetje fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, ka arritur të grumbullojë një shumë parash prej 7.000 eurosh, para këto që do të destinohen për blerjen e një makine analizatori të gazit për repartin e maternitetit të Gjakovës.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate, e cila thekson se paratë arritën të grumbullohen nëpërmjet kontributeve të kompanive dhe personave, si dhe fushatës online në KosovaIdeas, e lojërave që u zhvilluan në “Miqt Pub” në Prishtinë, shkruan Gazeta Shneta.
“Fondet e mbledhura do përdoren për të blerë një makinë analizatori të gazit – GEM 3000 për repartin e maternitetit të Gjakovës”, thuhet në komunikatë.
Analizuesi shërben për matjen e nivelit të oksigjenit dhe dioksidit të karbonit tek foshnjat që kanë probleme me frymëmarrje, si dhe arrin të diagnostikojë herët nevojën nëse foshnja ka nevojë për trajtim të specializuar.
Albion Hadri dhe Agim Bilalli, organizatorë dhe çiklistë, u shprehën të kënaqur me të gjithë mbarëvajtjen e aktivitetit si dhe me numrin e pjesëmarrësve në këtë udhëtim çiklistësh. “Jemi falënderues për të gjitha donacionet për këtë vit. Shpresojmë që ky aktivitet do të rritet në vitet e ardhshme,” u shpreh Hadri.
Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” është një ngjarje bamirëse vjetore e çiklizmit përreth Kosovës për të ngritur fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” Ngjarja u realizua me sukses në vitiet 2014, 2015, 2016 dhe 2017 dhe po rritet çdo vit.
Kampanja elektronike është ende aktive përmes platformës KosovaIdeas ku mund të dhurohet çfarëdo shume për t’mbështetur edhe më tej qëllimin e çiklistëve, e çasshme përmes linkut të mëposhtëm:
https://kosovaideas.com/campaign/detail/426