Kontrata kolektive sektoriale është nënshkruar sot ndërmjet kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Dr. Blerim Syla, ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Drejtorit të SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu.
Kreu i sindikalistëve ka deklaruar se kjo kontratë do të jetë e vlefshme për punëdhënësin dhe punëmarrësin, e cila parasheh rritje të pagesës për kujdestari për mjekët dhe infermierët. Dr. Syla ka deklaruar poashtu se kontrata ka edhe disa benificione në lidhje me rrezikshmërinë, me orarin e punës, rastet e vdekjes dhe sëmundjes, etj, shkruan Gazeta Shneta.
“Kjo kontratë e tejkalon edhe ligjin e punës dhe është një sukses kogja i madh i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se pagesat e kujdestarive do të rriten me 45 për qind tek mjekët. “Pagesa për kujdestaritë e mjekëve do të rritet 45 për qind, ndërsa për infermierët 15-20 për qind. Vlera e kësaj kontrate arrin deri 11 milionë euro në vit, ndërsa përfshihen edhe personeli shëndetësorë në mjekësinë primare”, ka deklaruar Syla.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se kjo është një kontratë shumë e rëndësishme për punëtorët shëndetësorë, e cila realizon dhe avancon të drejtat e tyre.
“Me këtë kontratë kolektive kemi arritur që ndër të tjera mjekëve specialistë t’u paguhen kujdestaritë me rritje prej 45%, varësisht nga dita e punës, kurse për të gjithë punëtorët kemi rritje prej 15% në pagesën e kujdestarive”, ka thënë ministri Ismaili, duke shtuar: “Për një kohë shumë të gjatë, mirëqenia dhe të drejtat e profesionistëve shëndetësorë janë lënë anash. Tani ka ardhur momenti që ne të bëjmë çfarë është e drejtë për ta. Për herë të parë kjo kontratë përfshin edhe kujdesin parësor. Ndërsa sipas mundësive buxhetore, beneficione do të ketë edhe për ata punonjës të cilët udhëtojnë mbi 5 kilometra. Presim që në qershor të kalojë në Qeveri Ligji për Pagat dhe kështu të kemi një situatë tërësisht të re për personelin mjekësor”, ka thënë ministri Ismaili. /Gazeta Shneta/