Një studim i ri tregon se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit që në barkun e nënës dhe gjatë viteve të para të jetës mund të rrisë rrezikun e presionit të lartë të gjakut te fëmijët. Sipas studiuesve, fëmijët e ekspozuar ndaj smogut para dhe pas lindjes kanë më shumë gjasa të shfaqin vlera më të larta të tensionit të gjakut në moshat nga 5 deri në 12 vjeç.
Studimi, i publikuar në numrin e marsit 2026 të revistës shkencore “Environmental Research”, lidhi në mënyrë të veçantë presionin e gjakut te fëmijët me ndotjen nga grimcat e imta në ajër. Këto grimca, edhe në nivele relativisht të ulëta, mund të ndikojnë negativisht në shëndetin kardiometabolik të fëmijëve, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autores kryesore të studimit, Yu Ni, profesoreshë e epidemiologjisë dhe biostatistikës në Universitetin Shtetëror të San Diegos, provat po shtohen se ekspozimi i hershëm ndaj ndotjes së ajrit ka pasoja afatgjata në shëndet.
Presioni i lartë i gjakut te fëmijët është rritur me rreth 80% gjatë dy dekadave të fundit dhe mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, si sëmundjet e zemrës dhe dëmtimi i funksionit të veshkave.
Në studim u analizuan të dhënat e mbi 4,800 fëmijëve, duke krahasuar shëndetin e tyre me nivelet e ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë dhe dy viteve të para të jetës.
Rezultatet treguan se ekspozimi gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë kishte ndikimin më të madh, duke u shoqëruar me rritje të presionit sistolik të gjakut.
Ndërkohë, ekspozimi ndaj dioksidit të azotit u lidh në mënyrë të papritur me presion pak më të ulët të gjakut te fëmijët, veçanërisht gjatë mesit dhe fundit të shtatzënisë.
Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këto efekte dhe rolin e faktorëve të tjerë mjedisorë, si zhurma nga trafiku. /Gazeta Shneta/


