Kanceri i organeve gjenitale vazhdon të mbetet një nga sëmundjet me të cilat përballet Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i Klinikës, Dr. Zef Ndrejaj, thotë se rastet janë në rritje, ndërsa më të prekura janë gratë mbi moshën 40 vjeç, megjithëse sëmundja nuk kursen as moshat më të reja, shkruan Gazeta Shneta.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Ndrejaj tha se në Klinikën e Gjinekologjisë trajtohen pacientë nga e gjithë Kosova me forma të ndryshme të kancerit gjinekologjik.
“Në Klinikën e Gjinekologjisë trajtohet çdo rast me karcinomë të vezoreve, karcinomë të mitrës dhe karcinomë të qafës së mitrës. Këto raste sillen edhe nga spitalet rajonale dhe të gjitha trajtohen këtu,” tha ai.
Sipas tij, mundësia e trajtimit varet në masë të madhe nga faza në të cilën zbulohet sëmundja.
“Trajtimi është i mirë, por varet në cilën fazë zbulohet sëmundja. Nëse diagnostikohet në fazat fillestare, trajtimi dhe intervenimi kanë rezultate shumë më të mira. Kur sëmundja zbulohet në faza të avancuara, trajtimi bëhet më i vështirë,” deklaroi Ndrejaj.
Ai tha se jo të gjitha rastet trajtohen me ndërhyrje kirurgjikale dhe se vendimi merret në bashkëpunim me specialistë të fushave të tjera.
“Me metodat dhe rekomandimet e reja, kur sëmundja ka dhënë metastaza nuk preferohet gjithmonë ndërhyrja kirurgjikale. Në këto raste trajtimi vazhdon me kimioterapi dhe rrezatim, në koordinim me onkologët,” u shpreh ai.
Sipas Ndrejaj, çdo paciente me kancer gjinekologjik vlerësohet nga një ekip multidisiplinar për të përcaktuar trajtimin më të përshtatshëm.
“Çdo rast me karcinomë trajtohet nga një grup multidisiplinar. Vendimet merren bashkë me onkologët, duke vlerësuar gjendjen e pacientes dhe fazën e sëmundjes,” tha Ndrejaj.
Ai theksoi se shumica e pacienteve të diagnostikuara janë gra mbi moshën 40 deri në 45 vjeç.
“Rastet me karcinoma të organeve gjenitale janë në rritje. Më së shumti preken gratë mbi moshën 40 deri në 45 vjeç, por pa përjashtuar edhe moshat më të reja, ku herë pas here kemi raste,” tha ai.
Ndrejaj u bëri thirrje grave të mos neglizhojnë kontrollet gjinekologjike, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm mbetet faktori kryesor që ndikon në suksesin e trajtimit.
“Sa më herët të zbulohet sëmundja, aq më të mëdha janë mundësitë për trajtim të suksesshëm,” u shpreh Ndrejaj.



