Studiuesit kanë vënë re se shumica e personave diagnostikohen me sëmundjen e Alzheimerit vetëm pasi shfaqet rënia e dukshme kognitive dhe dëmtimet në tru bëhen të pakthyeshme.
Megjithatë, hulumtimet e fundit tregojnë se ndryshimet në metabolizmin e trurit dhe në qarkullimin e gjakut drejt tij mund të zbulohen shumë më herët, përpara se dëmtimi të bëhet i rëndë, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri ka identifikuar modele të veçanta të këtyre ndryshimeve në rajonet e prekura të trurit, duke hapur mundësinë e diagnostikimit më të hershëm të Alzheimerit.
Sipas studiuesve, skanimet e trurit që matin aktivitetin metabolik dhe furnizimin me gjak në zona të caktuara mund të përdoren për të zbuluar fazat fillestare të sëmundjes, përpara se dëmtimi të përparojë.
Aktualisht, diagnostikimi i Alzheimerit mbështetet te testet kognitive dhe imazheria e trurit që zbulon grumbullimet jonormale të proteinës β-amiloide.
Këto teste kryhen zakonisht pasi simptomat janë bërë të dukshme, pra kur shumë nga dëmet tashmë janë të pakthyeshme.
Studimi i ri thekson se ndryshimet në metabolizëm dhe në rrjedhjen e gjakut në tru ndodhin në mënyrë specifike sipas rajonit dhe sipas gjinisë gjatë progresit të sëmundjes.
Kjo qasje mund të ndihmojë në krijimin e trajtimeve të personalizuara dhe monitorim më të saktë të pacientëve.
Paul Territo, profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Indianas, theksoi se këto gjetje mund të përmirësojnë mënyrën e ndjekjes së pacientëve dhe të ndihmojnë zhvillimin e terapive të synuara për fazat shumë të hershme të sëmundjes, duke parandaluar dëmtimin e pakthyeshëm. /Gazeta Shneta/


