Kardiologu Artan Krasniqi është fotografuar duke konsumuar cigare në njërën nga dhomat e repartit të Kardiologjisë Invazive në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK. Kjo fotografi është dërguar në adresë të Gazetës Shneta, për të cilën Krasniqi ka thënë se nuk i kujtohet se ka pirë cigare në ambientet e punës përkundër se në fotografi shihet i veshur në uniformë.
Ndonëse Ligji për duhan, bazuar në Ligjin për Shëndetësi, e ndalon tymosjen e duhanit në ambiente të mbyllura një gjë të tillë nuk e ka përfilluar kardiologu.
Krasniqi, i cili është edhe anëtar i Komitetit për Shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se ka mundur të ndodh që të pi duhan brenda ambienteve të klinikës, por një gjë e tillë nuk i kujtohet.
“Nuk besoj që është ambient i klinikës, për besë ndoshta edhe ka mujt me ndodh ndonjë herë nuk po e di kur ka ndodh kjo, unë nuk e mbajë mend që kam pi cigare në vend të punës”, thotë ai për Gazetën Shneta.
Megjithatë ai thotë se dikush mund t’ia ketë montuar fotografinë, e madje përmend edhe kolegët e tij të cilët kanë qenë të dënuar më parë nga Inspektorati Shëndetësor për konsumim të duhanit në klinikë.
“Dikush ka bërë diçka tendencioze se unë në vend të punës kurrë nuk dhezi cigare, kanë qenë këtu plotë koleg të dënuar për duhanpirje unë nuk kam qenë kurrë. Kanë ardhë inspektoriati dhe kurrë nuk më kanë gjetë me duhan. Është foto që është bërë fshehtas jo me autorizim, këto foto janë të ndalueshme me u bo edhe me ligj, në mënyrë të fshehtë. Ose është bërë ndonjë montazh ose është diçka tendencioze”, shprehet ai.
Neni 10.1 – ndalim i pirjes së duhanit, Ligji për Duhan, thotë se “Ndalohet pirja e duhanit në të gjitha institucionet publike apo private ku ofrohen shërbime shëndetësore”.
Në lidhje me këtë Gazeta ka tentuar të flas edhe me drejtorin e Kardikirurgjisë, Rifat Brahimaj, mirëpo i njejti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. /Gazeta Shneta/