QKMF-ja e komunës së Shtimes “Dr. Vezir Bajrami” ka zbuluar planin për zgjerimin e gamës së analizave të ofruara.
Përveç shërbimeve të zakonshme të siguruara 24 orë në ditë, qytetarët e zonës tani do të kenë mundësinë për të kryer analiza të rëndësishme laboratorike si hemogrami, analiza e sendimentit dhe e CRP-së, glikemia, si dhe analiza të urinës. Së shpejti, do të ofrohen edhe analiza të tilla si Troponina I dhe D-Dimmeri, përcjell Gazeta Shneta.
Kjo u bë e ditur nga kryetari i kësaj komune Qemajl Aliu.
Sipas tij, ky zgjerim në shërbimet laboratorike siguron që banorët e komunës të kenë qasje të lehtë dhe cilësore në shërbimet shëndetësore të nevojshme. Kjo lëvizje reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve për të rritur standardet e shërbimeve shëndetësore dhe për të përmbushur nevojat e komunitetit.
Ai ka përgëzuar personelin mjekësor dhe banorët e komunës për këtë përparim të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë publike./Gazeta Shneta/