Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, diagnostikimi i sëmundjeve të syrit po realizohet në mënyrë të rregullt përmes përdorimit të aparaturës OCT (Tomografia e Koherencës Optike).
Sipas të dhënave nga reparti përkatës, oftalmologët kryejnë në baza ditore ekzaminime për pacientët me probleme të shikimit, duke përdorur këtë pajisje që mundëson vizualizimin e shtresave mikroskopike të retinës pa kontakt fizik me syrin.
Përmes OCT-së identifikohen sëmundje të ndryshme okulare, përfshirë glaukomën, degjenerimet makulare dhe retinopatinë diabetike.
Gjatë vitit të kaluar, në këtë institucion janë realizuar gjithsej 875 ekzaminime OCT.
Sipas spitalit, pacientët që kanë nevojë për vlerësim dhe trajtim përfshihen në procedurat përkatëse pas diagnostikimit.
Reparti i Oftalmologjisë në këtë spital ofron shërbime për pacientët gjatë gjithë ditës, përfshirë edhe rastet emergjente që lidhen me shëndetin e syve.




