Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi para dy ditësh është takuar me një grup shqiptarësh nga Izmiri. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe punonjës të një kompanie e cila dërgon pacientë kosovarë për trajtim në spitalet turke. Por MSH nuk ka publikuar foto me ta e as nuk janë përmendur emrat e tyre në njoftim
Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi gjatë muajit mars të këtij viti udhëtoi për një vizitë zyrtare katër ditore në Turqi. Ndër të tjerë, ai takoi edhe disa shqiptarë në Izmir ku pjesëmarrës ishin edhe Rifat Salih dhe Selma Dubova, shkruan Gazeta Shneta.
Latifi u kthye në Prishtinë dhe më 12 prill u bë nikoqir i Salih-ut dhe Dubovës në zyrën e tij në Ministrinë e Shëndetësisë.
MSH doli me një njoftim të martën pasdite ku u bë e ditur se ministri Latifi ka pritur në takim një grup shqiptarësh të udhëhequr nga Rifat Salih. Në njoftim nuk u përmenden emra të tjerë, ndërsa në fotografi shiheshin vetëm Latifi dhe Salih.
Por Gazeta Shneta ka marr vesh nga burime se në këtë takim kanë qenë pjesëmarrës edhe dy punonjëse të kompanisë ‘Romoy Kosovo’ e cila merret me turizëm shëndetësor në Turqi ku dërgohen edhe pacientë nga Kosova. Këto dy punonjëse, Selma Dubova dhe Ariana Dubova, kanë deklaruar se kanë shkuar në cilësinë e përkthyeses. Njëjtë është deklaruar edhe kabineti i Latifit në një përgjigje për Gazetën.

“Ministri na ka vizituar neve në Turqi, ndërsa në Prishtinë ka ardhur Rifat Salih i cili na ka ftuar edhe neve në takim. Nuk kemi qenë si përfaqësuese të kompanisë, por më shumë kemi shkuar si përkthyese sepse ai nuk e flet mirë gjuhën shqipe”, ka deklaruar Dubova.
Ajo ka thënë se në këtë kompani punon që 10 vite dhe është përfaqësuese për Ballkan, për dërgimin e pacientëve për trajtim në spitalet turke.
Dubova ka publikuar edhe disa fotografi ku shihen së bashku me ministrin Latifi, derisa mbi tavolinë shihen dokumente të projektit të një spitali. Ajo ka thënë se ky projekt nuk ishte i tyre, por i MSH-së.

Në anën tjetër nga kabineti i Latifit kanë deklaruar se takimi ka qenë i natyrës së diskutimeve me përfaqësues të diasporës me qëllim të shkëmbimit të informacioneve në sektorin e shëndetësisë.
“Sa i përket aludimit tuaj, ju informomë se në delegacionin nga qyteti i Izmirit, të përfaqësuar nga bashkë-atdhetari Rifat Sali, ka pasur persona që kanë përkthyer për ata që nuk e kanë zotuar gjuhën shqipe, por kjo nuk do të thotë se takimi është mbajtur për t’i krijuar ndonjë favor apo interes dikujt tjetër. Pa paragjykuar askënd, MSh siguron se nuk mund të realizojë askush interesa të jashtëligjshme pavarësisht nëse merr pjesë në ndonjë takim në MSh, qoftë edhe me Ministrin dhe në çfarëdo cilësie”, është thënë në përgjigjen e kabinetit.
Tutje kanë deklaruar se iu bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që për trajtim jashtë vendit t’i ndjekin rrugët legjitime përmes Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Në njoftimin fillestar MSH ka cituar ministrin Latifi se Kosova ka nevojë për përmirësim të infrastrukturës dhe bashkëpunim me shtetin e Turqisë në shkëmbim të përvojave. Përkundër kësaj MSH i është përgjigjur Gazetës se në takim nuk është diskutuar ndërtimi i ndonjë spitali, por për mundësinë që profesionistët shëndetësor nga Kosova të marrin eksperienca klinike në Turqi. /Gazeta Shneta/


Pamje nga takimi në Izmir




