Më 20 mars, bota shënon Ditën Botërore të Shëndetit Oral, një iniciativë globale e Federatës Botërore të Stomatologjisë, që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kujdesit për gojën dhe dhëmbët.
Fushata për vitet 2024–2026, me temën “Një gojë e shëndetshme… një jetë e lumtur”, synon të fuqizojë qytetarët me njohuri, aftësi dhe vetëbesim për të ruajtur shëndetin oral.
Sipas Odës së Stomatologëve të Kosovës, rreth 3.5 miliardë njerëz në mbarë botën preken nga sëmundjet e gojës dhe dhëmbëve. Këto sëmundje ndikojnë jo vetëm në pamjen estetike, por edhe në shëndetin e përgjithshëm, mirëqenien dhe cilësinë e jetës.
Një gojë e shëndetshme mundëson të flasësh, të buzëqeshësh, të ndjesh shije dhe aroma, të përtypësh dhe të shprehësh emocione pa dhimbje apo shqetësim.
Oda e Stomatologëve të Kosovës rikujton se parandalimi mbetet elementi më i rëndësishëm: higjiena e përditshme dhe kontrolli periodik te stomatologu janë mënyrat më të mira për të shmangur sëmundjet e gojës dhe dhëmbëve./Gazeta Shneta/




